
Një gjyqtar ndërkombëtar i Gjykatës Themelore të Prishtinës urdhëroi të premten caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj dy personave të dyshuar për tentativë organizimi dhe pjesëmarrje në një grup terrorist.
Të dyshuarit planifikonin që të shkonin dhe të luftonin në Siri në radhët e Al Kaedës. Çështja po hetohet nga një prokuror vendas nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Dy ditë më parë qeveria e Kosovës miratoi një projektligj që parashikon që, të gjithë kosovarët që shkojnë në luftra jashtë vendit do të dënohen deri në 15 vjet burg. Me miratimin e këtij projektligj qeveria synon t’i jepet fund praktikës kur kosovarët marrin pjesë në luftëra të huaja, sidomos në Siri, për të luftuar krah rebelëve të atjeshëm.
“Kemi konsideruar që është imediate krijimi i kornizës ligjore për ndjekjen dhe gjykimin e personave të tillë që marrin pjesë në konflikte apo në çfarëdo forme tjetër të organizimit joformal paraushtarak apo parapolicor jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, deklaroi ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi.
Top Channel