Bojkotimi eventual i zgjedhjeve presidenciale nga shqiptarët rrezikon procesin zgjedhor në Maqedoni.
Në bazë të analizave të bëra në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, nëse
shqiptarët nuk dalin në votime do të jetë e vështirë të arrihet
pjesëmarrja e nevojshme prej 40% të votuesve, si census i domosdoshëm
për zgjedhjen e presidentit.

“Sipas të gjitha analizave që kam bërë unë, janë diku te 500 mijë votues shqiptarë që kanë të drejtën e votës në Maqedoni. Dhe, duke e krahasuar me numrin e përgjithshëm të votuesve prej 1,775,000, mendoj se është një numër, i cili është vendimtar për zgjedhjen e presidentit në Republikën e Maqedonisë, duke marrë parasysh censusin e nevojshëm, me të cilin duhet të zgjidhet kryetari i shtetit”, tha Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.

Në rast të mos arritjes së censusit të nevojshëm në balotazh, procesi zgjedhor llogaritet i dështuar dhe nevojiten zgjedhje të reja për presidentin e ardhshëm të Maqedonisë.

“Nëse ndodh kjo dhe nuk kemi zgjedhje të kryetarit edhe në raundin e dytë, atëherë prej asaj dite ne nuk kemi kryetar të shtetit dhe i pushon mandati kryetarit aktual, më pas atë rol me Kushtetutë e merr kryetari i Parlamentit. Ndërsa, sa i përket procesit zgjedhor, në bazë të konstatimit të kryetarit të Parlamentit, shpallen zgjedhje të reja për kryetarin e shtetit”, tha Subhi Jakupi.

Sipas analistëve, shqiptarët mund të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale në shenjë pakënaqësie nga anashkalimi i tyre nga presidenti aktual. Shanset për bojkot janë rritur edhe më tepër, pas refuzimit të VMRO-DPMNE-së për të dalë në zgjedhje me një kandidat të përbashkët, me partnerin shqiptar të koalicionit.

Nga partia e Ali Ahmetit, që është pjesë e qeverisë, thonë se presidenti i ardhshëm nuk mund të jetë legjitim pa votat e shqiptarëve, ndërsa PDSH-ja opozitare e Menduh Thaçit vlerëson se zgjedhjet presidenciale janë të parëndësishme, pasi Kushtetuta e vendit përjashton mundësinë që një shqiptar të zgjidhet president.

Top Channel