“Ushtari i Zanit” dhe Sali Berisha si ushtar i gënjeshtrës

06/02/2014 00:00

ANDREA STEFANI – “Sot jam këtu për të denoncuar një nga skandalet më të
mëdha të kësaj qeverie në këta 4 muaj”. Kështu e nisi Edi Paloka,
zëdhënësi i PD, një deklaratë në të cilën akuzohej qeveria “Rama” se
kish punësuar në Policinë e Shtetit një ndër ish-anëtarët e bandës
famëkeqe të Zani Çaushit.

Një deklaratë dhe presion politik që duket nuk ka kaluar pa sukses, sepse i ka detyruar drejtuesit e policisë të pezullojnë nga detyra Adrian Liçajn, oficerin e akuzuar se ka qenë “ushtar i Zanit”. Por gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra dhe hundën e gjatë. Nuk kanë kaluar pak ditë dhe “skandali i madh” i denoncuar nga PD, është provuar të jetë një gënjeshtër, një flluskë. Dhe maskën e saj e ka çjerrë përsëri Artan Hoxha, i njëjti gazetar që ua çori maskën mashtrimeve të Sali Berishës edhe më 21 janar, duke e shpëtuar edhe opozitën e asaj kohe nga një kurth fatal për demokracinë. Prandaj edhe ky shkrim bëhet, duke perifrazuar zëdhënësin e PD, për “të denoncuar një nga skandalet më të mëdha të kësaj opozite në këta 4 muaj”, rikthimin e saj te gënjeshtra dhe vazhdimësinë e gënjeshtrës.

***

Nuk ka sesi opozita e PD, e komanduar nga Sali Berisha, të mos i kthehet gënjeshtrës dhe shpifjes, armës më të dashur të politikanit Sali Berisha. Kështu ka ndodhur edhe në rastin e oficerit të antidrogës Ardian Liçaj, i akuzuar se ka qenë “ushtar i Zanit”. Në qëllimin për të përbaltur policinë, e cila po lufton ashpër me botën e krimit, që deri dje kish gjetur qiej të sigurt nën “diellin” e qeverive Berisha, PD ka publikuar një video të manipuluar të vitit të mbrapshtë ‘97. Në të shfaqet Zani Çaushi me bandën e tij që kanë bllokuar urën e Mifolit si dhe Ardian Liçaj, që komunikon me kreun e bandës. Videos i mungonte zëri, prandaj duket sikur Liçaj po merr urdhër nga Zani Çaushi. Por gënjeshtra nuk ka mundur të ecë gjatë. Gazetari investigues Artan Hoxha i ka ardhur prapë në ndihmë së vërtetës dhe mirinformimit të publikut. Në emisionin e tij “Xhungël”, Hoxha ka publikuar videon në fjalë. Por këtë herë të pamanipuluar dhe me zë. Investigimi bën të qartë se Liçaj ndodhej atje në detyrën e oficerit të policisë, i urdhëruar nga eprorët e tij, për të mundësuar kalimin e një veture me gazetarë vendas e të huaj (mes tyre edhe Frrok Çupi) që ishte e ndaluar nga banda e Zanit. Dhe dëgjohet e shihet mjaft mirë se mes Liçajt dhe Çaushit zhvillohet një debat për të lejuar gazetarët të kalojnë, por që Çaushi e refuzon me arrogancë.

Provohet kështu katërcipërisht se PD po mashtron përsëri shqiptarët. Dhe ky është një skandal shumë i madh për një parti që pretendon të marrë në dorë qeverisjen e vendit. T’i japësh në dorë fatet e së ardhmes një partie që gënjen?! Shqiptarët do të ishin të marrë ta bënin një gjë të tillë. Jo vetëm të marrë, por edhe të papërgjegjshëm për të ardhmen e vendit, që do të thotë, për fatin e fëmijëve të tyre.

 

***

Nuk është as i pari dhe as i fundit rast që PD, nën drejtimin e Berishës, gënjen e mashtron. Berisha e ka përdorur mashtrimin dhe gënjeshtrën për t’i shpëtuar përgjegjësisë dhe për të dalë nga situata të vështira si ato të krizës së piramidave financiare, të konfliktit civil në vitin ‘97 që vetë e përkeqësoi me gjakimin e çmendur për pushtet, të grushtit të armatosur të shtetit në vitin 1998. Akuzoi opozitën për piramidat financiare që jo vetëm i toleroi për vite me radhë, i promovoi me sloganin “Me ne fitojnë të gjithë”, por edhe pengoi, sikundër provojnë dokumente të Bankës Botërore, ndërhyrjen në kohë të ligjit për mbylljen e tyre. Organizoi rezistencë militantësh dhe paramilitarësh, që vetë i armatosi, kundër protestave paqësore që u bënë të dhunshme pas dhunës së qeverisë. Dhe më pas, akuzoi opozitën për revolucion me armë. Nxiti grushtin e shtetit të 14 shatorit ‘98, duke akuzuar Fatos Nanon, në atë kohë kryeministër, për vrasjen e Azem Hajdarit gjë që, siç e pranoi vetë më vonë Berisha, nuk kish qenë e vërtetë pra, ishte një gënjeshtër. Por gënjeshtra më e madhe është ajo e 21 janarit e organizuar në disa skalione. Gënjeshtra numër 1 ose skalioni i parë: Protestuesit u vranë nga opozita me pistoleta që nuk përdoren nga policia. Por kur një video e gazetarit Artan Hoxha, tregoi qartë se vrasësit ishin në anën e gardistëve të Berishës, ky i fundit kaloi në gënjeshtrën numër 2 ose në skalionin e dytë, atë të “puçit”. Për ta paraqitur si kushtetuese dhe ligjore vrasjen e protestuesve, akuzoi jo vetëm liderin e opozitës Edi Rama, por edhe Presidentin e Republikës, Kryeprokuroren, shefin e SHISH madje, edhe disa gazetarë, për organizimin e një puçi. Një gënjeshtër që, bashkë me bllokimin që i bëri prokurorisë dhe zhdukjen e provave të masakrës, e ka shpëtuar Berishën nga ndëshkimi i ligjit. Gënjeshtra e ka ndihmuar të mbesë përsëri në politikë për t’u treguar shqiptarëve, edhe 24 vjet pas hyrjes në politikë, se si duhet të ecë “përpara” Shqipëria. Dhe të gënjejë e gënjejë, e të shpifë për kundërshtarët duke vazhduar të mashtrojë shqiptarët! Siç bëri edhe me “ushtarin e Zanit”, ky ushtar i palodhur i gënjeshtrës.

Gazeta “Shqip”

Top Channel