Ukrainë, protestuesit: Ushtria të jetë neutrale

06/02/2014 00:00

Protestuesit anti-qeveritarë në Ukrainë janë mbledhur përpara Ministrisë së Mbrojtjes në Kiev, duke bërë thirrje ndaj ushtrisë të mos ndërhyjë, teksa opozita dhe partia në pushtet po kërkojnë të gjejnë një zgjidhje përmes bisedimeve me presidentin, të ndërmjetësuara nga shefja për Politikën e Jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

Demonstruesit, të organizuar nga partia nacionaliste opozitare “Svoboda”, kënduan himnin e Ukrainës përpara Ministrisë gjatë së mërkurës, si dhe bënë thirrje ndaj ushtrisë, përmes megafonëve, “të dëgjojë popullin dhe të mos dalë kundër tij”.

“Ata janë betuar të mbrojnë popullin e Ukrainës, ndërkohë që po zhvillohen bisedime së fundi, duke thënë se ushtria do të qëndrojë përtej policisë dhe qeverisë”, tha Nikalai Lynich, një demonstrues, teksa marshonte nga Ministria drejt sheshit “Pavarësia”, ku protestuesit anti-qeveritarë janë vendosur pas barrikadave prej më shumë se 2 muajsh.

“Nëse ushtria përdor forcën kundër protestuesve, i gjithë publiku do të veprojë kundër tyre”, shtoi ai. Një tjetër protestues, Ivan Klyop, këmbënguli se ishte i bindur që “ushtria, në fund të fundit, do të dalë krah nesh”.

Seanca e dytë radhazi në Parlament, që kur presidenti Viktor Yanukovych është kthyer në punë nga një sëmundje e lehtë, përfundoi pa ndonjë progres të qenësishëm, ditën e mërkurë.

Vladimir Ribak, kreu i Parlamentit, shtyu debatin mbi ndryshimet e mundshme kushtetuese, që do të nxjerrin vendi nga kriza, për ditën pasardhëse.

Një nga 3 liderët kryesorë të opozitës, Arseny Yatsenuk, nxiti Ribak të ftonte presidentin të merrte pjesë në diskutime, “kështu që ukrainasit të ndiejnë se shteti i tyre ka ligje e rregulla, që ne kemi një president dhe jo një diktator, që ne kemi një Parlament dhe jo disa shtypësa butonash”.

Ai sugjeroi që Parlamenti të punojë çdo ditë, deri sa të merren vendimet e nevojshme për të nxjerrë vendin nga kriza. Yatsenuk ishte një nga liderët opozitarë që u takuan me Catherinë Ashton gjatë së martës, në një përpjekje për të ndërmjetësuar një zgjidhje politike të trazirave anti-qeveritare.

Ashton pritej të mbante një takim të ngjashëm me Yanukovych gjatë së mërkurës, por ndërhyrja e partnerëve të huaj nuk është e mirëpritur nga të gjithë në Ukrainë.

Një numër demonstruesish, të organizuar nga grupi Borotba (luftuesit), u mblodhën jashtë ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kiev, të mërkurën. Ata do të formojnë një “banane”, duke protestuar kështu “kundër politikave imperialiste të SHBA-ve, Bashkimit Europian dhe Rusisë”.

Aktivistët njoftuan përmes një deklarate të publikuar në uebsajtin e tyre se “ata duan të tregojnë se Ukraina nuk është një ‘banana republikë’ si ish-kolonitë amerikano-latine të SHBA-ve, që drejtoheshin nga ambasadorët e Uashingtonit në rrugë informale”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB