Më shumë se 30 protestues janë trajtuar nga ekipet mjekësore në oborrin e Rektoratit, pas lëndimeve të marra nga gazi lotsjellës, gjatë përleshjës me policë të rregullt dhe njesinë speciale të Policisë së Kosovës, në protestën e studentëve të së enjtes.
Ndërkohë që, 6 të tjerë janë dërguar në QKUK për t’u trajtuar. Në anën tjetër, zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Florie Ahmeti, tha për Top Channel se gjatë përleshjes me studentët janë lënduar 5 policë dhe 1 anëtar i sigurimit të Universitetit.
E gjithë kjo ndodhi, pasi policia nuk pranoi kërkesat e protestuesve për të liruar hapësirat e Rektoratit. Përderisa në orët e para të protestës, policia po largonte protestuesit, pak më vonë u ndërruan rolet. Tani protestuesit tërhiqnin një nga një policët e rregullt, deri jasht rrethimit të Rektoratit.
Pas gjithë këtyre skenave, në oborrin e Rektoratit protestuesit dolën në konferencë për media. Shkëlzen Gashi, nga shoqëria civile, tha se rektori nuk duhet të largohet i vetëm.
“Duhet të japë dorëheqjen dhe jo vetëm ai, pasi nuk qëndron problemi vetëm tek ai. Problemi është sistematik në Universitetin e Prishtinës. Ai duhet kapur për dore bashkë me Ramiz Krasniqin dhe Muharrem Nitajn e të largohen nga këtu”, tha Shkëlzen Gashi, i shoqërisë civile.
Ilir Deda nga KIPRED, këtë iniciativë studentore e cilësoi si përpjekjen më të mirë në 14 vitet e fundit. “Ajo që po shohim sot është një nga përpjekjet më të suksesshme të studentëve në Kosovë, në 14 vitet e fundit, për universitet të mirëfilltë, ku vlerë është standardi akademik dhe profesionalizmi, e jo servilizmi partiak”, tha Ilir Deda i KIPRED.
Ndërsa studentët organizatorë paralajmëruan marshim të njejtë edhe për ditën e premte. “Nesër do të mbajmë protestë gjithëpopullore. I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit, studentëve, punëtorëve të papunë dhe gjithë të tjerëve që të na bashkohen. Është momenti i fundit, që ne mund t’i dalim zot universitetit”, tha Durim Jashari, SKV. Marshi i radhës vazhdon të premten në orën 12.
Top Channel