Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi deklaroi të enjten në
seancën plenare të Kuvendit se duhet të zbulohet se kush po vazhdon ta
spiunojë Kosovën dhe qytetarët e saj tek shërbimet sekrete serbe.

Krasniqi tha se deklaratat e disa ekspertëve të shërbimeve të inteligjencës gjatë kohës së viteve ’90, se edhe sot në Republikën e Kosovës ka shumë bashkëpunëtorë të shërbimit inteligjent serb, janë tepër shqetësuese ndërsa ende nuk ka një ligj që rregullon këtë çështje.

Ai tha se Prokuroria, veçanrësisht organet përgjegjëse duhet të marrin në pyetje këta persona, në mënyrë që të dihet se kush janë ata që punojnë për shërbime të huaja.

“Ata njerëz që kanë deklaruar se ende ka persona që punojnë për shërbimet sekrete serbe duhet t’i japin emrat”, theksoi Krasniqi.

Pak ditë më parë Fadil Kajtazi, ekspert i shërbimeve të inteligjencës edhe gjatë kohës së viteve ’90, i përfshirë direkt në shërbimin sekret të Republikës së atëhershme të Kosovës, në emisionin “Rubikon” në KTV pati thënë se, sot në Kosovës ka shumë bashkëpunëtorë të shërbimit serb.

Gjithashtu, edhe Mehmet Loci, agjent në kohën e ish-Jugosllavisë, indirekt ka thënë se aktualisht në institucionet e Kosovës ka bashkëpunëtorë të shërbimit sekret serb.

Top Channel