Forcat irakene të sigurisë mbajnë të burgosura mijëra gra në mënyrë të paligjshme, duke i nënshtruar ato ndaj tortusës dhe abuzimeve seksuale, shkruhej në një raport të “Human Rights Watch”.
Shumë prej grave janë mbajtur të izoluara për muaj, madje në disa raste edhe me vite pa u njohur me akuzat.
Sipas viktimave, hetuesit shumë herë përqendroheshin në çështje të tyre intime, në vend që t’i pyesnin për krimet ku supozohej që ato ishin të përfshira.
Bagdadi zyrtar i konsideroi përfundimet e këtij raporti si “tej mase të ekzagjeruara”, ndonëse pranoi se një numër të burgosurash janë keqtrajtuar.
“Ne kemi përjetuar disa praktika të kufizuara të palejueshme në mënyrën e trajtimit të të burgosurve nga forcat e sigurisë, por po punojmë për t’i dhënë fund kësaj gjendje”, deklaroi një zëdhënës i qeverisë.
Ai shtoi se një hetim ka nisur dhe se përgjegjësit pritet të vendosen përpara drejtësisë.
Top Channel