
Të premten, “Qemal Stafa” do të presë derbin e kryeqytetit Tirana – Partizani që këtë vit është ndryshe nga herët e tjera, kjo për shkak të pozicionit të skuadrave në renditjen e përgjithshme.
Trajneri i të kuqve, Hasan Lika, pranon se Tirana nuk është një kundërshtar si të tjerët, por nga ana tjetër ai deklaron se skuadra e Partizanit nuk do t’i lërë pas dore synimet e saj.
“Këtë ndeshje e shohim si një derbi dhe nuk shohim pikët e kundërshtarit. Do e respektojmë kundërshtarin dhe do të japim maksimumin pasi është më shumë se një ndeshje”, tha Lika.
Në kampin e Tiranës, e cila për herë të parë në historinë e saj lufton për mbijetesë në Superligë, derbi kryeqytetas shihet si ndeshja e kthesës.
“Kemi 1 mijë arsye për ta fituar këtë ndeshje. Nuk kam pasur punë përsa i përket motivimit të lojtarëve, pasi derbi nuk ka nevojë për motivim. Një ndeshje si kjo i ka të tre rezultatet brenda, por mendoj se duhet të fitojmë ne pasi jemi një grup më i mirë se Partizani edhe pse renditja nuk tregon këtë gjë. Nëse fitojmë, unë mendoj që çdo skuadër më pas do e ketë të vështirë t’i marrë qoftë një pikë Tiranës”, tha trajneri i bardhebluve, Gugash Magani.
Për këtë sfidë, më e rëndësishmja për javën e 18 të Superligës, Drejtoria e Policisë së Tiranës pritet të marrë disa masa. Forca të shumta policore do të jenë prezente në stadium për të ndalur ndonjë konfrontim të mundshëm midis dy tifozerive.
Sipas Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, masat më të rrepta do të ndërmerren nga Komisariati i Qarkullimit Rrugor, i cili do të ndalojë parkimin dhe qarkullimin e automjeteve pothuajse në të gjithë rrugët që lidhen me stadiumin “Qemal Stafa”.
Top Channel