BQE, e pashqetësuar nga deflacioni

06/02/2014 15:50

Banka Qëndrore Europiane tha se deflacioni nuk është një kërcënim i menjëhershëm për ekonominë europiane, ndërsa vendosi që të mbajë normën bazë të interesit në nivelin më të ulët historik prej 0,25%.

Presidenti i BQE-së, Mario Draghi, në një konferencë për shtyp, përballë shqetësimit të ekspertëve për rënien e çmimeve në shumë vende të BE-së mohoi që ekonomia të jetë futur në një fazë deflacioni.

Me inflacionin që ka rënë nën kufirin shqetësues të 1%, ekziston frika se prodhuesit mund të dëmtohen seriozisht nga rënia e çmimeve që po regjistrohen për disa mallra bazë në bllokun e 18 vendeve që përdorin monedhën e përbashkët.

BQE synon që të respektojë një normë inflacioni vjetor prej 2-4%, i vlerësuar si niveli ideal për ekonominë europiane dhe ndonëse parametrat janë larg pritshmërive, BQE nuk e konsideron ende gjendjen aq shqetësuese sa për të ndërhyrë në treg për të stimuluar inflacionin.

Në vlerësimin e tij, Draghi vlerësoi se treguesit e inflacionit nën 1% në dy muajt e fundit të 2013-s nuk mund të konsiderohen ende shqetësues dhe se një fenomen i tillë ishte parashikuar nga Banka, si pjesë e fazës rimëkëmbëse të ekonomisë europiane.

Ndërkohë, një shenjë e mirë erdhi të enjten edhe nga publikimi i të dhënave të indeksit të fuqisë blerëse, që tregoi se indeksi për bizneset private arriti normën më të lartë në dy vjet e gjysmë gjatë Janarit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA