Roma i falet Gervinho-s ndaj Napolit

05/02/2014 00:00

Një gol i Gervinho-s, kur kishin mbetur edhe 2 minuta nga fundi i takimit, i dhuron Romës suksesin e merituar në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë.

Në “Olimpico”, kundër Napolit, skuadra e Rudi Garcia fiton 3-2 në fund të një sfide të tejmbushur me emocione.

Verdhekuqtë i mbyllin 45 minutat e para në avantazh të dy golave, të shënuara nga Gervinho e Strootman, por lëshojnë shumë gjatë pjesës së dytë të ndeshjes, ku një autogol i De Sanctis (46’) dhe goli i Mertens (70’) barazojnë gjithçka. Por, në minutën e 88 është sërish sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, që vendos çdo gjë në favor të kryeqytetasve.

Roma për pak sa nuk kompromentoi me duart e veta kualifikimin për në finale të Kupës së Italisë, pas asaj pjese të parë të shkëlqyer, të vendosur, e që më pas për pak sa nuk shtangen pas daljes nga pushimi midis pjesëve.

Napoli, që u mundua me të gjitha forcat për të marrë diçka pozitive nga kjo përballje e parë me Romën, iu dorëzua Gervinho-s që, pasi gjunjëzoi Juventusin në fazën e çerekfinaleve, tashmë gjen forcën t’i kundërvihet edhe napolitanëve. Megjithatë, takimi i kthimit pritet të jetë deciziv, pasi të dyja skuadrat e kanë ende të hapur çështjen e kualifikimit për në finale.

Top Channel