Përfundimisht deputeti Fatmir Limaj i ka thënë lamtumirë Partisë Demokratike të Kosovës. Ai deklaroi se si themelues i partisë ka besuar
në vlerat e saj dhe se me gjithë humbjet në shumë zgjedhje, gjithmonë ka
arritur të ngrihet duke mos e mbyllur debatin. Por tani është koha që të largohet.

“Nga viti 2012 unë nuk e kam parë më veten pjesë të PDK-së. Pra, sot
them publikisht dhe formalisht se e pushoj aktivitetin tim në PDK. Ne
shumë shpejt do të dalim me një ofertë të re politike para qytetarëve të
Republikës së Kosovës”, tha Limaj në një interviste për televizion
publik kosovar.

Më tej ai u shpreh kundër largimit të misionit EULEX nga Kosova. Sipas deputetit Limaj, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë fenomene që njihen edhe nga Policia e Kosovës dhe zyrtarët që nuk e kryejnë punën si duhet duhen shkarkuar. “EULEX-i duhet të ketë rol mbikëqyrës për prokurorët dhe gjyqtarët vendas”, nënvizoi Limaj.

Ndër të tjera, ai foli edhe për rikonfigurimin e klasës politike dhe shumë çështje të tjera. Ai theksoi se ka ardhur koha që të mos bëhet politikë ideologjike, ndërsa vlerësoi se nuk duhet vlerësuar dikush vetëm pse ka qenë ushtar i UÇK-së dhe t’i jepen detyra udhëheqëse.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Basri Musmurati në një prononcim për “Telegrafin” tha se PDK-ja nuk do të merret më me Fatmir Limajn. Sipas tij, pozicioni i PDK-së përball ish-nënkryetarit të saj nuk është armiqësor. Duke folur për mundësinë e bashkëpunimit të PDK-së të me partinë e Limajt në të ardhmen, Musmurati theksoi se, “kjo do t’i lihet të ardhmes të shihet”.

Top Channel