Kupa e Mbretit, Real nënshtron Atletico Madrid

05/02/2014 00:00

Real Madrid nënshtron 3-0 rivalët e Atletico Madrid në takimin e parë të gjysmëfinaleve të Kupës së Mbretit, duke hipotekuar kështu kualifikimin për në finale.

Skuadra e Ancelotti-t zhbllokon rezultatin falë një autogoli të Insua, në minutën e 17, e më pas mbyll llogaritë në pjesën e dytë me anë të Jese (57’) dhe Di Maria (73’).

“Colchoneros”-at e drejtuar nga Simeone nuk shkëlqyen aspak, por ishin edhe disi të pafat, kjo për shkak se në rastet e golave të parë dhe të tretë, portieri Curtois u mashtrua nga devijimet e dy mbrojtësve të skuadrës së tij.

Ashtu siç ishte parashikuar, pas atij derbi të zjarrtë të zhvilluar për kampionat, nuk munguan nga fillimi e deri në fund të ndeshjes, ndërhyrjet e vendosura e dhëmbë për dhëmbë mes lojtarëve. Spektakël dhuruan veçanërisht Pepe dhe Diego Costa, të cilët lëshojnë “xixa” në çdo rast që u jepet të përballen me njëri-tjetrin.

Pas golit të tretë, Real sfumon edhe raste të pastra për golin e radhës, me Ronaldo e Morata, por asgjë nuk ndryshon, duke pritur tashmë takimin e kthimit për pas 1 jave, ku në “Vicente Calderon” do të duhet një përmbysje e madhe për “Colchoneros”-it, nëse do të duan të mbrojnë titullin kampion.

Top Channel