Kërcënime “specifike” ndaj Lojrave të Sochi-t

05/02/2014 00:00

Zyrtarë amerikanë thonë se kanë arsye specifike për t’u shqetësuar rreth sigurisë në Sochi, vetëm 3 ditë përpara fillimit të Lojrave Olimpike Dimërore, që priten të zhvillohen në qytetin rus.

Duke folur para Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, gjatë së martës, Matthew Olsen, drejtor i Qendrës Kombëtarë të Antiterrorizmit, evidentoi shqetësimin ndaj Olimpikeve dhe nëse muslimanët fondamentalistë në rajonet e trazuara të Rusisë, apo edhe grupe të tjera, mund të ndërmarrin sulme vdekjeprurëse ndaj objektivave të përzgjedhur.

“Ka disa kërcënime specifike, të shkallëve të ndryshme të besueshmërisë, të cilat jemi duke i ndjekur”, tha ai. “Jemi duke punuar së bashku me rusët dhe partnerë të tjerë për të monitoruar ndonjë kërcënim, që mund të hasim, e për t’i penguar ato”.

Forcat ruse të sigurisë kanë goditur militantë të dyshuar në Republikën e trazuar të Dagestanit, në Kaukazin Verior, por edhe në rajone të tjera gjatë javëve të fundit, pasi dy kamikazë hodhën veten ën erë në qytetin e Volgogradit, në Dhjetor.

“Kërcënimi primar, nga perspektiva e terrorizmit, vjen nga Imarat Kavkaz, ndoshta grupi më i shquar terrorist në Rusi. Ky grup e ka bërë të qartë qëllimin për të ndërmarrë sulme gjatë zhvillimi të Lojrave”, tha Olsen. “Kemi menduar se rreziku më i madh nga perspektiva terroriste ka të bëjë me potencialin e sulmeve të mundshme jashtë territorit aktual ku do të mbahen Lojrat, ndoshta në periferi të Sochi-t, apo në rajonin përreth”.

Komenteve të tij u ka bërë jehonë edhe republikani Mike Rogers, kreu i Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili ka folur për CNN, gjatë së martës.

“Mendoj se perimetri i Lojrave do të jetë i sigurt. Rusët kanë siguruar shumë roje, porta dhe armë, në përpjekje për të siguruar mbarëvajtjen e gjithçkaje. Por, jam shumë i shqetësuar nga niveli i lartë i vëmendjes dhe përpjekjeve, jo vetëm nga çeçenët dhe banorët e atij rajoni, por edhe përtej rajonit në fjalë, të cilët kanë shprehur një interes të jashtëzakonshëm në pasjen e akteve të dhunshme në këto Lojra”.

Ai u ankua gjithashtu për çështje të bashkëpunimit. “Ata nuk janë në 100% të tyren. Sigurisht që duhet të ishin, sa i përket jetëve të njerëzve që do të marrin pjesë në këto Lojra, pasi e dimë të gjithë se ky eveniment mbahet në një rajon me nivel të lart kërcënimesh”, tha Rogers, republikan i Michigan-it.

Presidenti Barack Obama foli shkurt mbi përpjekjet e SHBA-ve për të mbështetur sigurinë në Sochi.

“Ai ka marrë siguri nga ekipi i tij, se janë marrë të gjitha hapat e nevojshme në lidhje me sigurinë e amerikanëve. Ai i urdhëroi ata të vazhdojnë të bashkëpunojnë me qeverinë ruse dhe partnerët e tjerë, për të pasur një eveniment të Lojrave të Sochit të sigurt e të suksesshëm, si dhe të rishikojnë me kujdes e të veprojnë ndaj çdo informacioni që mund të ndikojë sigurinë e këtyre Lojrave”, bëri të ditur shkurtimisht Shtëpia e Bardhë, përmes një deklarate.

E megjithatë, amerikanët nuk janë të vetmit të shqetësuar rreth sigurisë së këtij evenimenti madhor. Hije dyshimesh e shqetësimi ka pasur edhe nga Austria, teksa në prag të fillimit të Lojrave dy atletë garues austriakë kanë marrë një kërcënim.

Wolfgang Eischer, zëdhënës i Komitetit Olimpik Austriak, tha për CNN se trupa drejtuese ka marrë një letër, të shkruar në gjermanisht, që kërcënon dy anëtare femra të ekipit Olimpik Dimëror. Ende nuk mund të konfirmohet nëse letra është postuar në Rusi.

“Kjo letër anonime përmban një pjesë informacioni konkret rreth 2 personave, që gjenden në rrezik para Lojrave të Sochi-t, por detajet e tjera nuk mund të bëhen publike”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Karl-Heinz Grundboeck. Ende nuk dihet kush e ka dërguar kërcënimin, megjithatë dyshohet se militantë islamikë kanë paralajmëruar sulme, për të minuar shpresat e presidentit Vladimir Putin, i cili duke përdorur Lojrat kërkon të tregojë se Rusia është një shtet modern dhe i sigurt.

Top Channel