“Nëse nuk ndalem, do vdes”

04/02/2014 00:00

Philip Seymour Hoffman, aktori amerikan që u gjet i vdekur dy ditë më parë në apartamentin e tij në Manhatan të Nju Jorkut, ishte i vetëdijshëm për fatin e tij.

46-vjeçari ditë më parë në një bisedë me miq kishte pranuar varësinë e tij ndaj heroinës dhe kishte paralajmëruar se nëse nuk do të hiqte dorë prej saj, do të vdiste.

“Nëse nuk ndalem tani, e di që do të vdes”, citohet ai nga miqtë.

Ditë para se të gjendej pa jetë, Hoffman ishte fotografuar totalisht i pavetëdijshëm në një avion të linjës Atlanta-Nju Jork.

Policia e Nju Jorkut zbuloi se pak orë para vdekjes, Hoffman, baba i 3 fëmijëve, kishte tërhequr në një kohë të shkurtër 1200 dollarë nga i njëjti bankomat. Paratë, thotë policia, dyshohet se janë përdorur për blerjen e drogës nga shpërndarësit në zonë.

Të njëjtën natë, 46-vjeçari është parë në shoqërinë e një grupi personash që dyshohen si shpërndarës droge në Manhatan, ndërkohë që policia amerikane ka nisur hetimet për identifikimin e tyre.

Në apartamentin e Hoffman u gjetën 70 doza heroinë dhe 20 shiringa. Policia e Nju Jorkut ka gjetur rreth 70 doza të dyshuara heroine brenda shtëpisë së aktorit Philip Seymour Hoffman, një ditë pas vdekjes së tij, raporton media amerikane.

Hoffman pati 3 nominime për çmimet “Tony”, për punën e tij në teatrin e Nju Jorkut. Ai ka lënë pas partneren e tij Mimi O’Donnell, si dhe 3 fëmijë. Në deklaratën e tyre, familja tha: “Jemi të shkretuar nga humbja e të dashurit tonë Phil”.

Julia Bolcer, një zëdhënëse e Ekzaminimit Mjekësor në Nju Jork, tha se është ende e pasigurt se kur do të dalin rezultatet e autopsisë. “Ndonjëherë na duhet të bëjmë edhe testime shtesë”, shtoi ajo.

Top Channel