Greqi, Kaçe futbollisti i ri më i mirë

04/02/2014 00:00

Në një prej hoteleve në qendër të Athinës është zhvilluar të hënën në mbrëmje festa për dhënien e çmimeve për futbollistët më të mirë profesionistë të Greqisë për sezonin 2013-2014.

Midis emrave të këtyre sportistëve të shquar ka qenë edhe ai i Ergys Kaçes, lojtarit shqiptar të PAOK-ut të Selanikut. Atij i është dhënë çmimi si futbollisti më i mirë i ri në Greqi për këtë periudhë.

Ergys Kaçe ka disa javë që ka filluar të jetë pjesë përbërëse e formacionit bazë të ekipit selanikas, pasi ishte lënë jashtë për gati gjysmë sezoni si rezultat i reagimeve negative të krijuara në Greqi nga një publikim i fotografisë së tij me bluzën me inicialet e UÇK-së në rrjetet sociale. P

or duket se tashmë opinioni publik e ka hedhur pas këtë ngjarje dhe reagimet ndaj tij në ndeshjet e para me PAOK-un pothuajse janë shuar, duke ndihmuar të japë më të mirën për ekipin e tij, i cili vërtet është në vendin e dytë të klasifikimit, por përballon probleme në marrëdhëniet midis lojtarëve dhe trajnerit të tij.

Top Channel