“Shqip”: Siguria në vend

03/02/2014 00:00

Një seri rastesh vendosje tritoli dhe kapja e një bande përgjegjëse për disa vrasje të paguara ka tronditur opinionin publik, duke kthyer një ndjesi pasigurie në vend.

Për të biseduar për këtë situatë, Rudina Xhunga ftoi në emisionin e saj të përjavshëm “Shqip” një panel të zgjedhur opinionistësh, si Mark Marku, Lutfi Dervishi, Eduard Zaloshnja dhe Aleksandër Çipa.

Një emision i nisur me një dedikim të një të miture, një pikturë që ajo i nisi bashkëmoshatares së saj të ngujuar protagoniste në disa seri të “Shqip”, u përqendrua shpejt tek fenomene të tjera si Lazarati, simbol i pafuqisë shtetërore për shumë vite tashmë.

“Lazarati është një minë me sahat që shpërthen në çdo familje sepse i gjithë ai hashash nuk del vetëm jashtë, por kthehet edhe në vatrat tona dhe ka edhe fëmijë 10 vjeç që shkojnë në spital tek mjekët të intoksikuar, për të mos folur pastaj për historinë e varësisë që ai shkakton, e deri tek qëllimi i autobuzit nën efektin e tij. Përsa i përket kanunit, kush e ka lexuar e di që s’bëhet më fjal për ligj, por për mungesë të forcës së shtetit dhe përgjegjës jemi të gjithë, jemi të gjithë si shoqëri që kemi lejuar këtë fenomen të rritet, duke qenë menduar që është larg”, nisi debatin në studio Dervishi.

I pyetur për përceptimin që krijon në sondazhe, specialist i tyre Zaloshnja deklaroi: “Lazarati nuk ndikon në përceptimin e sondazheve sepse është bërë si diçka që ekzistion dhe konsiderohet si i mirëqënë, pra si të thuash kur pyet se çfarë përceptimi kemi, a përmirësohet rendi apo jo, quhet e mirëqnëë që Lazarati ashtu ka qenë dhe ashtu ka mbetur. Ngjarjet e rënda janë ato që trondisin opinionin publick dhe kemi disa të tilla së fundmi. Kur unë kam nisur sondazhet, qëllimisht në Tetor, në muajin e parë të kësaj qeverie bëra një sondazh mbi rendin dhe kur njerëzit pyeteshin nëse po përmirësohej rendi, 60% mendonin se po. Kemi parasysh disa aksione spektakolare të policisë në atë kohë, por pikërisht ngjarjet e rënda që trondisin besimin në të ka bërë që kjo pyetje të marrë tani përgjigje pozitive nga vetëm 47% e të anketuarve. Tani duhet të shohim se si do të ndikojnë arrestimet që policia ka arritur të realizojë, nëse do të ketë një përmirësim të klimës në opinionin publik”.

Sipas Çipës, nuk është e drejtë që fenomeni i narkotikëve të përqendrohet vetëm tek Lazarati. “Ka disa zona jashtë vëmendjes mediatike në Kretë, në Greqi, që kultivohet shumë hashashi. Maqedonia ka oaze të tilla dhe më pas ka plantacione edhe në Turqi, e më gjërë më tej. Si qëndron e vërteta? Unë mendoj se Lazariti është një situatë më komplekse nga sa paraqitet, pasi asnjë qeveri e kaluar në 20 vitet e fundit s’mund të ketë një kredo që ne e zgjidhëm dhe ju jo. Ka pasur një moment në 1996-n kur forcat e policisë, falë konsensusit politik ndërhynë në Lazarat dhe dëshmuan se si mund të rikthehej rendi me forcën e policisë. Madje, ka pasur një vendim për krijimin e një poste të përhershme policie, por si u zhvendos ajo më pas ka të bëjë me diabolizmin politik, të korrupsionit që zhvillohet mes segmenteve të pakontrolluara të shtetit”.

“Problem nuk është vetëm Lazarti, që është vetëm një pjesë e një zinxhiri që shkon deri në Europë dhe lejohet prej saj me synimin për t’u kontrolluar”, nisi komentin e tij Marku.  “Trafiku ndërkombëtar i drogës nuk lidhet vetëm me Lazaratin, as me Shqipërinë. Është një zonë homogjene, por kjo simbolikë bën që e gjithë vëmendja të përqendrohet atje. Krimi është i shtrirë në të gjithë territorin, ndaj mua më duket e pandërshme të merret vetëm ky rast dhe më duket se kështu shërbejmë që segmente të tjera të krimit të vazhdojnë lirshëm në zona të tjera të vendit”.

“Është e vërtetë që krimi ekziston kudo, por të mos e tejkalojmë këtë fjalën e krimit në Shqipëri sepse duhet parë edhe në perspektivë botërore, kur PS ishte në opozitë dëgjoja atëherë që Shqipëria është bërë si Afganistani e si Siria, por çfarë thonë shifrat”, tha Zaloshnja në rimarrjen e fjalës së tij. “Unë pashë shifrat e OKB-së që rendit të gjithë vendet me numrin e vrasjeve, që është treguesi më domethënës për vrasjet. Shqipëria është e 122-ta në botë për shpeshtësinë e vrasjeve, me katër vrasje për 1 mijë banorë. SHBA ka 4,7, Estonia që duket si një vend i qetë e ka 5,4,  ndërsa Lituania që mund ta mendojmë edhe më të qetë është në kuotat e 6,2 vrasjeve për 100 mijë banorë. Po ta shohim në konteksin e gjerë, ajo që është problem me Lazartin është sfida e hapur ndaj shtetit, por hashashi është kapur edhe në Shkodër, është kapur edhe në Tiranë. Problemi i Lazaratit është një problem i mirëfilltë politik për faktin se ky fshat i madh, që në 1991 ishte diskriminuar gjatë kohës së diktaturës dhe si të thuash fitoi një status të veçantë nga PD dhe kur erdhi PS në pushtet, ka pasur frikë që të sfidojë një bastion politik të PD”.

Sipas Dervishit, “qeveria aktuale po vuan shumë pritshmëritë që ka krijuar, si rend për 100 ditë apo kritikat që bënte në opozitë. Tashmë duhet të japë prova se çmund të bëjë, e ky është një test për qeverinë. Me këtë bandë të bombave test do të jetë thellësia e hetimit. Sigurisht që ka fije dhe sponsorë që mund të jenë edhe politikë dhe këtu do të duket puna e policisë e gjykatës. Nëse ka diçka që nuk e fal dot publiku e shoqëria është çështja e sigurisë, pasi nëse nuk ekziston ajo, të gjithë detajet e tjera për ekonominë e të gjitha të tjera janë të kota. Siguria vjen nga akti dhe sinjali, siç ka qenë akti i gjobitjes së deputetëve. Dërgon një sinjal që askush nuk është mbi ligjin, ndërsa historia tjetër e analizimit është që jemi shumë larg policisë perëndimore, pasi policia duhet të jetë detyrimisht më e organizuar se sa krimi”.

Një konstatim mbi “bandën e tritolit” u rikthye të bënte edhe Marku. “Me këtë rastin Sinanaj mendoj që u veprua në mënyrë joprofesionale, pasi shihet qartë që është një person i porosituri dhe një rrjet i tërë porositës. Një polici profesionale nuk do të kishtë bërë publike këtë ngjarje pa zhvilluar më parë hetime të hollësishme dhe pa i kapur të gjithë përgjegjësit”.

Në nisje të pjesës së dytë analisti Eduard Zaloshnja u ndal tek roli i policisë dhe reforma që ka përfshirë këtë institucion që prej shtatorit. Ai tha se policisë i duhet lënë kohë të bëjë punën e saj. “Nëse s’e bën pas një periudhë kohe të arsyeshme, atëherë duhet kritikuar”, tha Zaloshnja.

Ish-deputeti demokrat, Mark Mark u ndal tek policia dhe roli i politikës në punën e saj. Ai solli një shembull nga Italia. “Në Itali policia nuk sulmohet nga opozita, por as maxhoranca nuk e mbron atë sepse është e thjeshtë, puna e saj lihet në dorën e drejtësisë për ta vlerësuar, jo të politikës”, tha ai.

Gazetari Aleksandër Çipa kërkoi më shumë transparencë nga organet hetimore, për të hequr, sipas tij, hamendësimet e opinionit publik: “Duhet të sjellim një moment të ri në marrëdhënien mes asaj që është e vërtetuar dhe asaj që është e hamendësuar. Institucionet e hetimit ndoshta duhet të sjellin transparencën për publikun. Ne nuk kemi sot se cfarë ndodh me këtë proces që ka marrë vëmendjen e gjithë publikut shqiptar. Nëse e bëjnë transparencën shmangin hamendësimet dhe përplasjet mes institucioneve, sic ishte ajo mes kryetarit të bashkisë dhe prefektit”.

Byroja Kombëtare e Hetimit

Qeveria brenda një kohe të shkurtër prite të ngrejë Byronë Kombëtare të Hetimit, një organ që do t’i shtohet atyre ekzistues në luftën kundër krimit.

Gazetari Çipa tha: “Nuk jemi njohur me draftin dhe strukturën e këtij organi. Edhe opozita nuk është se e ka sulmuar, por raporti që do të ketë me institcionet e tjera, është një cështje që mbetet për t’u parë. Duke qenë një përvojë e huazuar nga SHBA, mendoj që është një element pozitiv sepse koordinon elementët institucionale, edhe në këtë periudhë kur ka patur antagonizma mes institucioneve”.

Ish-deputeti Marku tha se konfliktet me institucionet e tjera janë të shmangshme. Ai u ndal tek Shërbimi Informativ Shtetëror dhe deklarata e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri se ky shërbim nuk i kishte ofruar asnjë informacion mbi gjendjen e sigurisë në vend: “Kjo nuk nënkupton konflikte me institucionet e tjera. Deklarata e Ministrit kundër SHISH është shumë e rëndë, nëse SHISH nuk ofron informacion organeve të tjera shtetërore, ky është problem shumë i rëndë”.

Të ftuarit në panel diskutuan mbi rolin e Shërbimit Informativ Shtetëror në zbulimin dhe identifikimin e shtetasve shqiptarë të përfshirë në konfliktin sirian. Ata vlerësuan njëzëri se mungojnë të dhëna të tilla dhe kërkuan një qëndrim zyrtar edhe nga qeveria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA