Massa: Tek Red Bulli duhet të shqetësohen

03/02/2014 00:00

Ajo që habiti në testimet e Jerezit të javës së kaluar ishin problemet shumta të Red Bullit. Nga skuderia e Milton Keynes mundohen të japin një imazh qetësie dhe piloti i saj i ri Daniel Ricciardo beson se skuadra kampione do të përfitojë nga tre javët pushim deri tek testimet e Bahreinit.

“Kemi kohën në anën tonë. E dimë se çfarë është në gjendje të bëjë ekipi dhe punën e mirë që zhvillon”, tha piloti australian.

“Gjëja pozitive është që edhe pse nuk i kemi zgjidhur problemet, e dimë se ku duhet të punojmë. Kemi ekipin më të mirë në botë”, shtoi Ricciardo.

Nuk ka këtë mendim Felipe Massa, ish-pilot i Ferrarit dhe piloti aktual i Williamsit: “Nëse do të isha në vendin e tyre, do të bëhesha merak. Nuk janë më 2 sekonda para të tjerëve siç ishin një vit më parë. Ka mundësi që dominimit të tyre t’i ketë ardhur fundi.”

Braziliani realizoi kohën më të shpejtë në ditën e fundit të testimeve dhe deklaroi se është shumë i kënaqur për këtë: “Të vjen mirë të jesh i pari, por këto janë vetëm testime. Motorri është mirë, por makina nuk ka ngarkesë aerodinamike dhe është më i vështirë pilotimi.”

Top Channel