Presidenti i nderit i Bajernit të Mynihut, Franz Beckenbauer, këmbëngul se kampionët e Gjermanisë dhe Europës në fuqi nuk blejnë qëllimisht lojtarë të Borussias së Dortmundit për të dobësuar rivalët.
Deklarata e Beckenbauer ishte një përgjigje e akuzave të bëra nga drejtori i përgjithshëm i Borussias, Hans-Joachim Watzke, më parë gjatë javës.
Ndonëse Bajerni bleu sezonin e shkuar mesfushorin Gotze dhe ka siguruar për sezonin e ardhshëm golashënuesin Lewandowski, Beckenbauer tha: “Ne blejmë ata futbollistë që mendojmë se do të fuqizonin skuadrën. Është një rastësi që në listën e lojtarëve që kanë mbërritur tek Bajerni së fundmi janë edhe dy futbollistë të Dortmundit. Blerja e një futbollisti ka si qëllim të vetëm të sigurojë skuadrën. Dobësimi i rivalëve është vetëm një rrjedhojë, jo qëllim në vetvete”.
Megjithatë, Beckenbauer theksoi se i respekton komentet e Watzkes. “Të thuash që ai po përpiqet të krijojë një atmosferë anti-Bajern është e tepruar. Watzke ka të gjithë të drejtën e botës që të thotë që të mendon”.
Aktualisht, Bajerni ka diferencë prej 17 pikësh në Bundesligë ndaj Borussias.
Top Channel