Nga Andrea Stefani – Operacioni i suksesshëm i policisë për zbulimin dhe kapjen e një rrjeti terroristësh që shpërthenin me porosi eksplozivë për të vrarë apo frikësuar biznesmenë, zyrtarë apo politikanë, duket se ka ngjallur mërzi në kampin berishist. Arsyeja nuk është vështirë të kuptohet.
Mjafton të analizosh opozitën që ka bërë muajt e fundit ky klan politik. Një opozitë që ka për bosht akuzën se qeveria nuk po rivendos dot rendin e përkeqësuar edhe nga shpërthimi një “epidemie” të beftë shpërthimesh terrorizuese nëpër Shqipëri. Një akuzë që është pasuar edhe nga thirrjet për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, e deri për rrëzimin e qeverisë “Rama” që fajësohet, me “fjalët e kazanit” të Berishës, se qenkërka e lidhur me krimin. Dhe si “provë” për këto akuza e alarme, sillej fakti që policia nuk kish mundur të zbulojë apo kapë asnjë nga tritolvënësit. Befas, kur policia arrin sukses duke zbuluar një rrjet tritolvënës, berishistët nxijnë. Tamam si gjithkush që humbet shans. Dhe të verbuar nga gjakimi për t’u rikthyer në pushtet urgjentisht dhe me çdo kusht, kanë hyrë në sinergji evidente me botën e krimit. Ushqejnë të njëjtat gjakime me të. Lusin, si edhe bota e krimit, rrëzimin sa më të shpejtë të një qeverie që i ka shpallur luftë krimit, jo me fjalë, por me vepra. Dhe shpresojnë jo dështimin e krimit dhe suksesin e shtetit, por suksesin e krimit dhe dështimin e shtetit. Kështu ndodh, si përherë me Berishën, kur epshi për pushtet sakrifikon ambicien për shtet.
***
Nuk janë të pakta rastet në histori kur segmente të politikës janë përpjekur të përdorin në fshehtësi botën e krimit për qëllime politike. Dhe nuk është e thënë që të ketë marrëveshje të drejtpërdrejta, të shkruara apo të pashkruara, me krimin që ta bësh aleate botën e tij. Mjafton të lindë harmonia e qëllimeve, mjaft të lindë armiku i përbashkët dhe, aleanca, sinergjia, është e bërë. Në rastin në fjalë na duket se po ravijëzohet një sinergji, spontane ose jo nuk e dimë, mes botës së krimit dhe një segmenti berishist të politikës kundër qeverisë “Rama”. Dhe në fokus të goditjes së kësaj aleance është vënë, jo rastësisht, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
***
Tashmë, dihet që Berisha dhe klani i tij, për shkak të një korrupsioni qindra milionësh si ai i rrugës Durrës–Kukës, të një korrupsioni të përgjakshëm si ai i Gërdecit dhe mbi të gjitha, për shkak të masakrës së 21 janarit, nuk janë të interesuar që të lindë drejtësia e pavarur. Sepse një drejtësi e pavarur, që e zbaton ligjin barabar për të gjithë qytetarët, do të dërgonte në bankën e akuzës të parin Berishën dhe jo pak nga njerëzit e tij. Frika e Berishës nga drejtësia është frika e vrasësit. Por një frikë të tillë nga aktivizimi i drejtësisë e ka edhe bota e krimit. Energjia dhe vullneti që ka rrëfyer ministri Tahiri dhe policia në goditjen që iu dha krimit të organizuar në dy prej burimeve të rëndësishme të fitimit: në biznesin e kazinove dhe në atë të ndërtimeve pa leje, e ka bërë automatikisht atë armik numër një të botës së krimit. Prandaj dhe thirrjet e Berishës dhe berishistëve për dorëheqjen e ministrit Tahiri nuk mund të mos jenë në sinkron me epshin në rritje të botës së krimit kundër tij. Tashmë Berisha e K° dhe bota e krimit, gjakojnë të njëjtën gjë. Berisha e K° duan t’i shpëtojnë goditjes së drejtësisë për korrupsionin galopant, që i bëri 1 milion shqiptarë t’i kundërvotojnë, si dhe për vrasjet kriminale të 21 janarit. Ndërkaq, edhe bota e krimit rreket të rifitojë parajsën e humbur në një qeveri tjetër, si ajo e deridjeshmja e Berishës, që nuk rrënonte ndërtime pa leje, ku pastrohen paratë e botës së krimit, që nuk mbyllte kazino ilegale që e ushqenin me miliona euro botën e krimit dhe që, për më tepër, nuk kishte as vullnet as ndershmëri të luftonte krimin dhe tritolin e krimit. Që qeveritë e Berishës nuk kanë zbuluar dhe ndëshkuar asnjë rast të terrorizmit me tritol, nuk është fare rastësi.
***
Shtimi i rasteve të tritolit, që mediat berishiste bënë kujdes ta shesin si epidemi, shfaqet si një situatë ideale për Berishën në funksion të ngjalljes së panikut dhe pakënaqësisë ndaj qeverisë “Rama”. Shpresojnë ta shndërrojnë terrorin që ngjallin shpërthimet me tritol, në një premisë politike për rrëzimin e qeverisë. Por meqenëse, sikundër tregojnë edhe faktet, kjo është një qeveri që po e lufton krimin, vënia e eksplozivëve bëhet një taktikë ideale edhe për botën e krimit kundër një qeverie armike për të. Dhe nuk ka nevojë fare të ngresh telefonin dhe të bësh pakt me ndonjë bos të krimit. Krimi e kupton vetë që shpërthimi apo montimi i eksplozivëve, qoftë edhe për konflikte banale ndaj një qytetari, zyrtari apo biznesmeni, është në fakt një eksploziv në themelet e një qeverie që po e lufton krimin. Krimi e di se një situatë e pakontrollueshme terrori, shkon në favor të tij dhe kundër qeverisë. Prandaj edhe kur nuk vendos eksplozivë ngre alarme false për eksplozivë, sikundër ndodhi dje pranë ndërtesës së Bashkisë së Tiranës.
***
Pra kemi sinergji të pashmangshme mes një segmenti politik që lakmon rikthim urgjent në pushtet për të shpëtuar nga një qeverisje antikorrupsion, dhe botës së krimit që kërkon rrëzimin e po kësaj qeverie i egërsuar nga operacionet e saj të faktuara antikrim. Dhe cila është rrënja më e thellë e kësaj sinergjie të zezë? Është kriminalizimi i segmentit berishist me korrupsione vrasëse si Gërdeci, apo me masakra si ajo e 21 janarit. Janë korrupsioni dhe krimet e kryera që e bashkojnë këtë segment me botën e krimit. Prandaj njëri me deklarata dhe tjetri me shpërthime, bashkohen në një zë të vetëm: Poshtë qeveria, poshtë Tahiri! Shto dhe kinse sofizmin nanist të Kastriot Islamit.
Top Channel