ANDREA STEFANI – “Historia e Bamkës, nga Specialist i Ndërzimit te Spiun
i Sigurimit” ishte titulli i një artikulli të publikuar me germa të
mëdha në numrin e djeshëm të gazetës “RD”. Nga fotoja që e
bashkëshoqëronte, kuptohej se sulmi mbi armikun e partisë dhe
udhëheqësit të lavdishëm Sali Berisha, drejtohej kundër ish-presidentit
të Republikës, Bamir Topi.
Nuk qe fare nevoja të lexoje artikullin për të kuptuar se mekanizmi neokomunist i baltosjes dhe diskreditimit të rivalit politik është vënë përsëri në lëvizje. Gjë që ndodh sa herë që dikush nuk është më dakord me Sali Berishën. Një mekanizëm që hesht, madje shndërrohet në lavdërues dhe glorifikues edhe të ndonjë banditi apo krimineli, sapo ky shfaqet dakord me Sali Berishën. Një mekanizëm që asgjë nuk e lidh me të vërtetën, as me moralin apo interesin publik. Kriteri për baltosjen apo lavdërimin e dikujt, është nëse i shërben apo jo, rikthimit të Berishës apo klanit të tij në pushtet. Dhe kuptohet që, Bamir Topi është sot një pengesë për revanshin që gjakon ethshëm Sali Berisha. Prandaj ka vënë në lëvizje inkuizitorët e partisë kundër tij.
***
Nuk ka asnjë ekzagjerim në këto që shkruajmë. Është saktë inkuizicion! Ku i fundit është një hetim me natyrë politike ose fetare i karakterizuar nga mungesa e kujdesit për të drejtat e njeriut dhe që zhvillohet nga inkuizitorë plot paragjykime për viktimën. Në fakt ajo që synohet të arrihet është pikërisht krijimi i paragjykimit për viktimën, duke ia bllokuar masës së partisë çdo mundësi për të arsyetuar. Prandaj njësoj si në Mesjetë apo në diktatura, personi i sulmuar synohet të stigmatizohet si i keq. Në Mesjetë shpallej shtrigë a shtrigan, në diktaturën komuniste shpallej armik i popullit, ndërsa sot, në partinë e Berishës, shpallet spiun i Sigurimit. Dhe kjo damkë mjafton për të bllokuar aftësinë për të menduar të masës së partisë: Spiun i Sigurimit?! Aha, prandaj paska dalë kundër udhëheqësit, prandaj po bashkëpunon edhe me Edi Ramën! Kaq do të mjaftojë, shpreson Berisha, që elektorati i djathtë t’i kthejë shpinën Bamir Topit dhe partisë së tij. Po kaq pak i ka mjaftuar edhe Enver Hoxhës që një ditë “të bukur”, të bindte shqiptarët se ish-shokët e luftës për çlirimin e popullit (Beqir Balluku, Petrit Dume, Mehmet Shehu etj.), paskëshin qenë armiq të popullit. Ka mjaftuar vetëm një pyetje, një stigmatizim: Përse u takove me ambasadorin jugosllav? Ç’deshe në makinën e ambasadës sovjetike? Vazhdimësia nga PPSH te PD është evidente.
***
Do të përpiqen inkuizitorët ta justifikojnë Berishën, duke thënë se vetëm tani së fundi është mësuar se Bamiri paska qenë spiun. Por e gjithë odiseja e inkuizicionit mbi 20-vjeçar të Berishës provon të kundërtën. Inkuizicioni kundër Bamir Topit ka shumë të ngjarë të jetë një shpifje, një dezinformim i rëndomtë. Por mund të jetë edhe një lojë, po aq e poshtër, me kinse dosje të mbajtura fshehur nga Berisha për të shantazhuar këdo që i del kundër. Një lojë që të kujton praktikën e “njollave në biografi” që Berisha e njeh mirë, sepse e ka zbatuar edhe gjatë komunizmit, kur zhvillonte luftën e klasave, ndaj rivalëve të vet në profesion. Dihet se Berisha ka internuar një kolege duke e akuzuar për bashkëpunim me armikun e partisë. Ndërkaq nuk mund të mos pyesim: Si shpjegohet që “faktet komprometuese”, si ky për Bamir Topin, zbulohen publikisht vetëm në momentet kur dikush nuk e ka më mirë me Berishën? Pse inkuizicioni nis vetëm kur dikush prish marrëdhëniet me Berishën dhe jo më parë? Është fakt, për shembull, që Berisha ka vendosur në krye të gjyqësorit edhe juristë që kanë dënuar me vdekje njerëz në kohën e diktaturës komuniste. Pse? Vetëm sepse i shërbenin. Fakt që tregon se sulmi dhe inkuizicioni i sotëm mbi Bamir Topin, nuk ka të bëjë fare me moralin, as me interesin publik. Por vetëm me epshin e pashuar të Berishës për pushtet, me hakmarrjen dhe revanshin që ai po gatuan.
***
Inkuizicioni në PD është si çdo inkuizicion, antinjeri. Ai është një sulm jo ndaj kundërshtarit, por kundër njeriut. Nuk sulmon idetë, nuk tenton të hedhë poshtë argumentet me argumente, nuk rreket të triumfojë ndershmërisht me idetë dhe opsionet e veta politike. Jo, kërkon të dërrmojë njeriun. Prandaj i duhet mjegull dhe jo qartësi, terr dhe jo dritë. Synon të shmangë mendimin duke poshtëruar e baltosur njeriun, duke bllokuar logjikën me kinse “fakte”. Dhe dihet se faktet mund t’i shtrembërosh, ndërsa logjikën jo. Prandaj berishizmi kërkon të mobilizojë pasione të verbra dhe jo mendime të qarta, kërkon të ndezë dhe jo të kthjellojë koka. Një listë e gjatë rastesh na provon se sa i padrejtë, sa i pa parimësi, sa hipokrit dhe mashtrues është ky inkuizicion, i mobilizuar së fundi edhe kundër Bamir Topit. E kanë provuar këtë kamxhik, sa mesjetar aq neokomunist, figura të hershme dhe të vona të PD-së, themelues dhe pishtarë të demokracisë. E ka provuar edhe Azem Hajdari që është etiketuar deri edhe terrorist nga gazeta RD, vetëm sepse në një moment, nuk pati dakordësi për një çështje me Sali Berishën. E kanë provuar këtë inkuizicion edhe Serreqi, Pashko, Imami, Shehi, Ceka, Ngjela, Selami, Zogaj dhe shumë e shumë figura të njohura të PD-së që nga themelimi i saj. Por hipokrizia nuk mbaron me kaq. Sepse në momentin kur persona të stigmatizuar deri edhe si mafiozë, kanë ndryshuar qëndrim ndaj Berishës, duke e ndrequr muhabetin me të, kanë pushuar së qenë mafiozë! Rehabilitimi ka qenë provë ose e mashtrimit, ose e mungesës së parimësisë së Berishës. Ai nuk ndahet e bashkohet për parime, por vetëm për interesa. Dhe interesat jo parimore qëndrojnë larg madje kundër interesit publik.
***
Çfarë tragjikomedie! Kriteri për të përcaktuar nëse një njeri është i mirë apo i keq, patriot apo jo patriot, demokrat apo antidemokrat, bëhet qëndrimi ndaj Berishës. Nëse je kundër Berishës mund të jesh edhe mafioz a spiun. Stigmatë që merr fund, si me magji, nëse bëhesh me Berishën. Po e gjithë kjo hallakatje, kjo çoroditje apo orgji e gënjeshtrës, kjo çorbë stigmash dhe medaljesh, shfaqet banale si vetë gënjeshtra. Dhe forca e saj qëndron te banaliteti i së keqes, tek ai kooperim me liderin mashtrues i një shtresë ende jo e vogël dhe të paditur shqiptarësh që vazhdojnë, edhe pse në gjendje të mjeruar ekonomike, të punojnë për pasurimin e Berishës e K°. Kjo masë që nuk reflekton, por që (për shkaqe të ndryshme deri edhe banale dhe jetike njëherësh si buka e gojës), bindet me besnikëri prej kafshe. Kjo masë duartroket pa ditur ç’duartroket, që bën “urra” për Topin kur Berisha ia ofron Shqipërisë për President, por e shan kur Berisha e shan, kjo është problemi i vërtetë i Shqipërisë. Siç ishte dekada më parë themel i diktaturës në “unitet me Partinë” kur duartrokiste Titon, Hrushovin apo Mao Ce Dunin se ashtu i thoshte Enveri dhe i mallkonte sapo i mallkonte Enveri.
***
Por ne shpresojmë se një masë gjithnjë e më e gjerë e elektoratit të djathtë e ka kapërcyer fazën e automatizmit dhe të vepruarit pa reflektuar konform dëshirave të liderit. Shpresojmë se çdo demokrat i zgjuar nga letargjia e kultit të Berishës do të nisë të arsyetojë: Nëse ky Bamir Topi paska qenë kaq i keq, madje edhe spiun i Sigurimit famëkeq, përse ka qenë për vite me radhë në krah të Berishës si nënkryetar i PD-së, si kryetari i grupit të saj parlamentar? Nëse Bamir Topi qenka kaq i keq, si shpjegohet që Sali Berisha ua serviri shqiptarëve si President Republike? Nëse Bamir Topi paska qenë spiun i Sigurimit, a nuk është i kalburi moralisht Sali Berisha që kur i leverdis nuk e ka problem të bëjë President të shtetit edhe një spiun? A nuk do ishte ky një fakt tjetër i përdhunimit nga Berisha të interesit publik për hir të pushtetit të tij personal? Injoranca e njerëzve, jo dinakëria e klerikëve, ka qenë zemra e inkuizicionit. Prandaj vetëm ndriçimi i demokratëve mund ta shpëtojë PD-në, por edhe Shqipërinë e demokracinë, nga inkuizicioni berishist.
Top Channel