Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Peter Maurer, deklaroi të enjten në Vienë se në Ballkan figurojnë ende rreth 12 mijë të zhdukur.

Duke iu drejtuar Këshillit të Përhershëm të Organizatës Ndërkombëtare për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSCE), Maurer nënvizoi bashkëpuninin e suksesshëm që këto dy organizata kanë realizuar në zona të nxehta si Kosova, Bosnja, Osetia e Jugut dhe Nagorni-Karabakhu.

Duke iu referuar shifrave, presidenti i Kryqit të Kuq theksoi se organizata 150-vjeçare që ai drejton nevojitet më shumë se kurrë në ditët e sotme.

“Themeluesit e Kryqit të Kuq mendonin se kjo organizatë do të shërbente për vetëm disa vjet, pasi ata besonin që qeveritë do të gjenin një mënyrë për të asistuar civilët dhe të plagosurit e zonave të luftimit. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur dhe Kryqi i Kuq është më i dobishëm sot se kurrë”, tha ai.

Sipas Maurer, konfliktet e armatosura të viteve të fundit dhe injorimi i vazhdueshëm i ligjeve ndërkombëtare bëjnë të domosdoshme ekzistencën e organizatës edhe për një periudhë të pacaktuar.

“Ligjet humanitare duhen modernizuar për t’iu përshtatur nevojave të kohës. Është e domosdoshme që të hiqet përgjithmonë një linjë e qartë midis palëve ndërluftuese dhe civilëve gjatë një konflikti të armatosur”, shtoi presidenti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA