
Sulmuesi argjentinas i Napolit, Gonzalo Higuain, shënoi kur kishin mbetur 8 minuta nga fundi i takimit, për t’i siguruar napolitanëve fitoren e ngushtë 1-0 ndaj kampionëve në fuqi të Lazio-s, si dhe një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, kundër rivalëve të tjerë kryeqytetas, Roma.
Napoli dominoi përgjatë gjithë takimit, të shoqëruar edhe me reshje shiu në “San Paolo”, por pati vështirësi të çantë mbrojtjen e ngjeshur të Lazio-s, deri sa “el Pepita” shënoi pas një prekje të lehtë në minutën e 82, për të kaluar më tej ekipin e Rafael Benitez.
Mbrojtësi Christian Maggio hodhi një krosim në zonën e rreptësisë së lacialëve nga e djathta dhe, pavarësisht përpjekjeve të mbrojtësit Giuseppe Biava për ta larguar, topi mbeti në këmbët e Jose Callejon, i cili goditi për në këndin e portës dhe Higuain ndërhyri në mënyrë decizive për të dërguar topin pas shpinës së portierit Etrit Berisha.
Kupa e Italisë, në raundin e gjysmëfinaleve, i zhvillon duelet me nga dy takime. Udinese, që eliminoi Milanin në çerekfinale, do të presë Fiorentinën më 4 Shkurt, përpara se të udhëtojë për në Firence një javë më vonë.
Napoli do të udhëtojë për në “Olimpico” të Romës më 5 Shkurt, përpara se t’i presë verdhekuqtë në “San Paolo” një javë më pas.
Top Channel