
Qeveria e Kosovës miraton strategjinë kombëtare për luftimin e ekonomisë jo formale, pastrimin e parave, financimin e terrorizimit dhe krimeve financiare për katër vitet e ardhshme.
Kryeministri Hashim Thaçi, duke theksuar se zhvillimi ekonomik është prioritet i qeverisë së tij e ndërlidhi miratimin e strategjisë me faktin se tashmë në veriun e Kosovës ekziston një situatë më e favorshme edhe në aspektin ekonomik.
Zbatimi i marrëveshjes me Serbinë, sipas Thaçit, ka mundësuar që pikat doganore 1 dhe 31 të funksionojnë dhe tatimet që grumbullohen nga të kontribuojnë në buxhetin e shtetit. Kryeministri theksoi se këto të ardhura do të përmirësojnë mirëqënien sociale për qytetarët në gjithë territorin e Kosovës.
“Implementimi i Kushtetutës dhe ligjeve në pjesën veriore të vendit do të kontribuojë në integrimin e plotë politik, ekonomik, kulturor dhe social të vendit tonë. Në këtë drejtim qeveria e Kosovës është e përkushtuar në luftimin e ekonomisë informale në vend”, deklaroi Thaçi.
Funksionimi i sistemit të drejtësisë sipas ligjeve të Kosovës ka qenë temë diskutimi edhe në raundin e fundit të dialogut, për çka nuk ka pasur marrëveshje. Kryeministri Thaçi është optimist se kjo do të ndodhë në raundin e radhës më 12 shkurt.
“Marrëveshje përfundimtare ende nuk ka, por është ajo e 19 prillit. Tani pritet vetëm instalimi i mekanizmave implementues. Marrëveshja për implementim do të arrihet më 12 shkurt”, nënvizoi Thaçi.
Kabineti qeveritar të mërkurën vendosi që çështjet që ndërlidhen me Trepçën të trajtohen përmes ndryshimit të ligjit për ndërmarrjet publike dhe jo siç është rekomanduar më herët për hartimin enjë ligji të vecantë për trepcën.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli propozoi që Kuvendi ta heqë ndërmarrjen Trepça nga kompetencat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe ta autorizojë qeverinë që këtë ndërmarrje shoqërore ta regjistrojë si ndërmarrje publike qendrore në pronësi të Republikës së Kosovës.
Në këtë mbledhje qeveria po ashtu dha pëlqimin për ndryshimin e statutit të Universitetit të Prishtinës, siç ka kërkuar Kuvendi dhe miratoi planin e veprimit per zbatimin e rezolutës 1325 “Gratë, paqja dhe siguria për vitin 2013-2016”.
Top Channel