Katër kandidatë të partive politike shqiptare e serbe janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Mitrovicës së Veriut.

Deri në mesnatë, kur përfundoi afati ligjor, Partia Demokratike e Kosovës kandidoi Florent Azemin, Lidhja Demokratike e Kosovës Musa Miftarin, Lista serbe Goran Radiçin, ndërsa Nisma qytetare SDP Oliver Ivanoviç, raporton Radio Evropa e Lirë.

Nisma qytetare SDP vendosi në momentet e fundit të kandidojë kryetarin e saj Oliver Ivanoviç, i cili ndodhet në paraburgim nën dyshimet për përfshirje në krime lufte dhe krime të tjera të kryera pas luftës në Kosovë.

“Kandidimi i tij është dëshmi se Oliver Ivanoviç është i pafajshëm. Mosvënia e kandidaturës do të nënkuptonte se ai ka frikë nga akuzat e pabaza dhe të turpshme”, deklaroi SDP.

Ivanoviç edhe në zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit që lamë pas ishe kandidat për postin e kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut. Ndërkohë, kandidatja e pavarur në zgjedhjet e vitit të kaluar, Adrijana Hoxhiç, këtë jerë ka vendosur të mos kandidojë.

Hoxhiç, e cila mban dhe postin e shefes së Zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, ka thënë për “REL” se nuk do të kandidojë për shkak të përvojave të këqija në raundin e parë të zgjedhjeve.

“Unë mendoj se shoqëria jonë nuk e ka arritur atë nivel të demokracisë ku, qoftë për shqiptarët, qoftë për serbët do të ishte e pranueshme që në një mjedis shumetnik, siç është Mitrovica e Veriut, të jetë kryetar dikush që nuk vjen nga bashkësitë shqiptare apo serbe“, ka thënë Hoxhiç.

Zgjedhjet do të përsëriten meqë kryetari i zgjedhur vitin e kaluar, Kërstimir Pantiç nga Lista Serbe, nuk pranoi të bënte betimin sipas ligjeve të Kosovës.

Top Channel