Papa, në faqen e parë të “Rolling Stone”

28/01/2014 00:00

Pas shfaqjes në faqen e parë të revistës “Time”, që e kurorëzoi “Njeriun
e Vitit”, Papa Françesku ka zënë edhe kopertinën e revistës muzikore
“Rolling Stone”.

Mbi foton e atit të shenjtë shfaqet titulli “dylanian” “Kohët po ndryshojnë”, që në brendësi të artikullit i referohet “revolucionit shpirtëror” të Papa Bergoglio.

Gjithashtu, Papa Françesku mund të quhet pa dyshimin më të vogël edhe “personazhi i vitit” për webin, pasi rezulton më i klikuari në kërkimet mujore në Google, me 1.737.300 herë dhe më i përmenduri në rrjete, mbi 49 milionë raste.

Presidenti amerikan Barack Obama dhe ish-kontraktori i NSA-së Edward Snowden janë lënë pas nga ati i shenjtë, përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë. Pas tyre vjen si gjithmonë “Cari” i ri i Rusisë, Vladimir Putin, të cilin e bën kaq popullor autoritarizmi i tij.

Për të promovuar paqen në botë, Papa Françesku do të udhëtojë më vonë gjatë vitit në Sarajevë, vizitë kjo që do të shënojë 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore, që nisi me vrasjen e princit austro-hungarez Franz Ferdinand nga disa nacionalistë serbë.

Top Channel