Juve-Pirlo, edhe dy vjet të tjera

28/01/2014 00:00

Mbrëmjen e së hënës futbolli italian nderoi lojtarët më të mirë të vitit 2013. Mes tyre ishte edhe Pirlo, lojtari i Juventusit e ardhmja e të cilit u vu në qendër të mediave sportive në fillim të muajit janar.

Por vetë ‘regjisori’ i bardhezinjëve dhe i kombëtares italiane deklaroi se të paktën deri në 2016-ën nuk do të ndryshojë fanelë. Ai komunikoi arritjen e një marrëveshje me drejtuesit e Juventusit që do ta mbajë atë të lidhur me torinezët edhe për dy vite të tjera.

Në fakt asgjë nuk është zyrtare dhe ajo që dihet është rënie dakort në parim e dy palëve, ndërsa zyrtarisht firmat përkatëse mbi kontratën e re të Pirlos pritet të hidhen në pranverë.

Ndërkohë së fundmi është cekur edhe e ardhmja e vetë trajnerit Conte. Në media, sidomos ato angleze, qarkullojnë zëra se trajneri italian do të marrë drejtimin e Manchester United në rast të një dështimit të David Mojes. Megjithatë Conte tha: “Të gjithë e dinë që tek Juventusi jam në shtëpinë time dhe në shtëpi ndjehesh rehat dhe përpiqesh që të japësh gjithmonë më të mirën për të”.

Javën e kaluar Juventusi u përfshi në bisedime me Interin për shkëmbimin Vucinic-Guarin. Palët ranë fillimisht dakort, por më vonë zikaltërit u tërhoqën nga bisedimet. Por pavarësisht kësaj, largimi i Vucinic është caktuar tashmë dhe në Torino shpresojnë në arritjen e një marrëveshje për shitjen përfundimtare të lojtarit.

Ndërkohë Marotta dhe drejtues të tjerë të klubit vazhdojnë punën për përforcimin e skuadrës dhe gjetjen e një trekuartistit aq të dëshiruar prej Conte-s. Emri që qarkullon së fundmi është ai i Osvaldos. Italo-argjentinasi, ish-lojtar i Romës luan për Sauthemptonin në Angli dhe bardhezinjtë kërkojnë huazimin me të drejtë blerjeje.

Top Channel