Ushqimet që u bëjnë mirë thonjve

27/01/2014 00:00

Sytë janë pasqyra e shpirtit, ndërsa thonjtë reflektojnë shëndetin e
trupit. Ngjyra jo e rregullt ose forma e indeve të thonjve shpesh
zbulojnë mungesa ushqimi.

Përpara përdorimit të trajtimeve të “mrekullueshme” dhe rikonstruksioneve kryesisht me kimikate, “Ndryshe” ju ofron këshilla dietike për thonj të shëndetshëm dhe të fortë.

Ushqyesit që nuk duhet të mungojnë kurrë

Një dietë e ekuilibruar, e pasur me proteina, vitamina dhe minerale është hapi i parë për një trup të shëndetshëm dhe thonj më të fortë. Thonjtë janë të ndërtuar nga një lloj i veçantë proteine, e cila quhet keratinë. Në përgjithësi kur vuani nga sindroma e thonjve të dobët, kura qëndron tek ushqyerja. Ngrënia dhe shtimi i dozave të përditshme të disa ushqimeve mund të forcojnë thonjtë në një mënyrë të natyrshme.

Mes ushqyesve për një dietë të shëndetshme dhe të ekuilibruar, përmendim:

-Vitaminën B5 e cila ruan ujin në organizëm, i cili rrit fuqinë e thonjve;

-Vitamina B6 lejon çlirimin e cistinës, komponente e keratinës;

-Vitamina B8 ndihmon në forcimin dhe trashësinë e thonjve;

-Acidet yndyrore esenciale ndihmojnë në rritjen e thonjve;

-Hekuri forcon thonjtë;

-Zinku merr pjesë në formimin e keratinës;

-Silici favorizon formimin e indeve lidhës të shëndetshëm.

Më thuaj çfarë thonjsh ke…

Thonjtë e shëndetshëm duken të butë, pa relieve, janë uniformë në ngjyrë dhe pa pika të bardha. Ekzistojnë lloje të ndryshëm thonjsh, sikundër edhe patologji të ndryshme. Është e rëndësishme që kur të vini re ndryshime të mëdha në thonjtë tuaj, për keq, ju duhet t’i drejtoheni mjekut specialist. Më poshtë do të gjeni një përmbledhje të llojeve të thonjve me simptomat më të zakonshme dhe kurat ushqimore të këshilluara nga një ekspert i ushqyerjes.

Vitamina B, për thonj të dobët

Simptoma: nëse thonjtë kanë humbur forcën e tyre natyrore, mund të bëhet fjalë për mungesë të vitaminave B, sidomos biotinë dhe vitaminë B12.

Kura natyrale: Vitamina B2 gjendet në majanë e birrës, në të verdhën e vezës, në vajin e grurit, te lakra, bizelet dhe tek kosi; vitamina B6 gjendet te orizi, toni i peshkut, vaji i lulediellit, krundet dhe te të gjithë miellrat organikë, te perimet me gjethe jeshile, bizelet, te kumbullat dhe bananet. Ndërsa karotat, domatet, marulet, mëlçia, mishi i lopës, kikirikët, arrat, bizelet dhe fasulet janë burime të mira të biotinës. Vitamina B12, në fakt, gjendet te mishi, vezët dhe në produktet e qumështit si qumështi, kosi dhe djathi.

Më shumë hekur për thonj të hollë ose sipërfaqe të parregullt

Simptoma: Nëse thonjtë tuaj janë të dobët, në formë “luge”, të errët dhe shumë të hollë ju duhet të merrni hekur në sasi më të madhe.

Kura natyrale: Hekuri gjendet veçanërisht te perimet e freskëta, te mishi i kuq, i bardhë dhe tek arrat. Por ushqimet më të pasura me këtë mineral janë mëlçitë e gjedhëve, levreku, mishi i kalit, por edhe bishtajoret, të tilla si thjerrëzat dhe bizelet. Një lajm i mirë në këtë drejtim: edhe çokollata e errët përmban një sasi të vogël hekuri.

Vitamina A dhe kalcium për thonj të thatë

Simptoma: Nëse thonjtë janë të thatë, shkaku mund të kërkohet te mungesa e vitaminës A dhe e kalciumit, ushqyes thelbësorë për asimilimin e duhur të proteinave.

Kura ushqimore: Vitamina A gjendet në të gjitha perimet me ngjyrë jeshile dhe portokalli; ndërsa ushqimet e pasura me kalcium janë të gjitha produktet e qumështit.

Vitaminë C për t’i “thënë lamtumirë” kutikulave

Simptoma: Të bezdisshmet kutikula, nëse ngacmohen, shkaktojnë shumë dhembje në qoshet e thonjve. Krijimi i tyre tregon mungesë të vitaminës C.

Kura ushqimore: Vitamina C gjendet me shumicë te frutat dhe perimet e freskëta. Lëngu i rrushit, rrushi pa fara, specat, majdanozi, brokoli, kivi, portokajtë janë “miniera” vitaminash.

Më shumë zink kundër njollave ose vijave të bardha nën thonj

Simptoma: Mungesa e zinkut mund të çojë në krijimin e zonave të bardha te thonjtë.

Kura natyrale: Në rastin e njollave të bardha mbi thonj këshillohet konsumimi i produkteve të qumështit që përmbajnë sasi të madhe kalciumi dhe proteinash. Po kështu duhet të merrni sa më shumë zink i cili gjendet pothuajse në të gjitha familjet e ushqimeve. Veçanërisht ai gjendet në sasi të mëdha te mëlçia, produktet e qumështit, perimet me rrënjë, te farat e kungullit, vezët e ziera dhe te majaja e birrës, që përdoret për të bërë bukën.

Squfur, hekur dhe kalcium, nëse rritja e thonjve është e ngadaltë

Simptoma: Nëse thonjtë tuaj rriten shumë ngadalë dhe struktura e tyre nuk është aq e fortë, atëherë është rasti për të thënë se ju duhet të konsumoni ushqime që përmbajnë squfur, hekur dhe kalcium.

Kura ushqimore: Ushqimet më të pasura me këto minerale janë drithërat, brokoli, peshku, qepa, veza, produktet e qumështit, bishtajoret dhe orizi ngjyrë kafe.

Omega 3 për thonj që thyhen lehtësisht

Simptoma: Mungesa e acideve yndyrore omega 3 i bën thonjtë shumë të dobët dhe lehtësisht të thyeshëm.

Kura ushqimore: Ushqimet më të pasura me acid omega 3 janë salmoni, levreku, merluci, por edhe vezët, si dhe perimet me gjethe jeshile, përveç sojës dhe derivateve të saj. Një këshillë e mirë është që të hani bajame dhe arra, por të mos e kaloni masën.

Ja disa këshilla për të pasur thonj të shëndetshëm:

-Pini shumë ujë. Konsumimi i rregullt i ujit është i rëndësishëm për të siguruar lagështinë e duhur për thonjtë;

-Ndiqni një ushqyerje të ekuilibruar;

-Mos i mbani duart për një kohë të gjatë në ujë;

-Shmangni kontaktin direkt të duarve me detergjent acidë;

-Zëvendësoni “mezet” apo snack-et që përmbajnë sheqerna të rafinuar me fruta: ideale me vitaminë A janë kajsitë e thata, kivi dhe portokajtë për vitaminë C dhe bananet për vitaminën B6. Boronica, manaferra dhe rrushi janë të pasur me antioksidantë që ndihmojnë për shëndetin e mirë në përgjithësi.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta