Ribery: Vështirë të përsërisim vitin 2013

27/01/2014 00:00

Franck Ribery ka dhënë një intervistë për fifa.com ku ka folur për vitin spektakolar 2013 që kaloi me Bayern Munchen dhe për të ardhmen e kombëtares franceze në Botërorin e Brazilit.

“Shpresoj që edhe viti i ardhshëm të jetë si ai 2013, por e di që do të jetë shumë e vështirë të përsëritet. Unë do të vazhdoj të punoj shumë pasi kënaqem me atë që bëj. Kemi mundësitë për të përsëritur sukseset e vjetshme edhe pse është e vështirë të bësh më mirë”, tha francezi i Bayern Munchen.

Roli i tij në kombëtaren e Francës – Jam 30 vjeç dhe kam përjetuar shumë gjëra në karrierë. I flas shumë të rinjve, sidomos atyre që luajnë ndeshjet e para me kombëtaren. Përfaqësojmë një vend të madh dhe veshja e fanellës blu është një përgjegjësi e madhe. Ka shumë presion dhe nuk është e lëhtë ta përballosh. Për këtë arsye mundohem t’i lehtësoj të rinjtë dhe i them që duhet të kënaqen sa më shumë kur grumbullohen me përfaqësuesen.

Ndeshja më e mirë e jetës – Kam përjetuar emocione shumë të forta në ndeshjen ndaj Spanjës në Botërorin e vitit 2006, por ndeshje e paharrueshme ka qenë edhe ajo ndaj Barcelonës vitin e kaluar. Kam shumë ndeshje të mira në karrierë.

Botërori në Brazil – Jemi të nderuar që bëjmë pjesë në 32 kombëtaret pjesëmarrëse. Brazili përfaqëson shumë në botën e futbollit dhe do të jetë kënaqësi të luajmë në një vend të tillë. Gjithashtu, për mua mund të jetë Botërori i fundit… Do të mundohemi të kënaqim tifozët e Francës.

Top Channel