Nga kaosi triumfal te marrëzia me tritol

26/01/2014 00:00

Ilir YZEIRI – Të dielën që shkoi, si çdo javë, botova në “Shqip”, opinionin “Kaos triumfalist” në të cilin merresha me performancën jo të mirë që po tregojnë disa dikastere të qeverisë “Rama” dhe isha pak i ashpër ndoshta me paraqitjen vetëm si dukje të Policisë së Shtetit në lidhje me aksionin e saj të ndëshkimit të krimit me anë të policisë rrugore.

Miq të mi pafund, me telefon dhe me të gjitha llojet e mundshme të komunikimit edhe më jepnin të drejtë edhe jo pse unë isha distancuar, siç e thashë, nga performanca jo e mirë e qeverisë “Rama” në disa sektorë. Përpiqesha t’i qetësoja miqtë e mi se në natyrën time nuk bën pjesë konformizmi dhe se me asnjë lloj qeverisjeje nuk kam kontratë që të mos e kritikoj kur unë e gjykoj të arsyeshme. Edhe qeverinë “Rama” do të vijoj ta kritikoj sa herë që do të më duket se, sipas meje, ajo nuk po paraqit performancën e duhur, madje, siç e them me shaka me miqtë e mi, deri në ditën kur ajo do të më shpallë kundërshtar të sajin. Mirëpo, gjatë kësaj jave, një sërë ngjarjesh të tjera rrodhën me shpejtësi dhe të gjitha ato e zhvlerësuan kritikën time, sepse në skenë u ngjit gjuha e tritolit.

Është i pandreqshëm

Kulmin e arriti Sali Berisha, i cili u shfaq në Parlament jashtë të gjitha parametrave normalë dhe me një gjuhë që nuk ka shoqe në asnjë ligjërim në botë. E them me bindje se, për aq sa e njoh ligjërimin politik, nuk ka njeri në asnjë Parlament në botë që të përdorë atë gjuhë që përdor Sali Berisha. Ky njeri është bërë tashmë një mbetje e rrezikshme e një kohe që Shqipëria nuk e ka njohur kurrë. Kush e ka ndjekur ligjërimin politik të diktaturës, nuk gjen në asnjë rast në fjalimet zyrtare qoftë të diktatorit, qoftë të prokurorëve politikë që të përdorin atë ligjërim të llahtarshëm që u ngjeth mishtë të mëdhenjve e të vegjëlve. E kam thënë edhe herë të tjera se unë kam shumë miq nga Tropoja dhe ata shquhen për një gjë: flasin me zë të ulët, aq të ulët sa në biseda duhet t’u thuash ngrije pak zërin, mor burrë se nuk të dëgjoj mirë. Po ky njeri, çfarë është?! Si nuk mendon se në kohën që ai flet mund të jenë nipërit apo mbesat e tij që e dëgjojnë! Si ka mundësi që përdor pa asnjë doganë fjalorin më të ndyrë pornografik dhe gjuhën më të errët me vrasje e me linçim! Dhe si për të plotësuar portretin e tij të errët, një tjetër hierarke e lartë e PD-së, Jozefina Topalli, shfaqet edhe ajo me një gjuhë plot nënkuptime pornografike dhe sharje e fyerje pa asnjë kuptim. Dhe në sfond të gjithë këtij horrori mediatik bën ballë një gjuhë tjetër, ajo e tritolit. Atentate të frikshme me tritol. Unë nuk akuzoj Sali Berishën se qëndron pas këtyre atentateve si nxitës, si frymëzim direkt, por kam vënë re se gjuha e tij kriminale, e errët, kërcënuese po shoqërohet me shpërthime me tritol.

21 janari do përgjigje, jo spektakël

Qeveria e Edi Ramës ka marrë një mandat plebishitar, popullor. Kur ambasadori Arvizu e krahasoi 23 qershorin me fitoren e opozitës së dikurshme mbi komunizmin, ndoshta kishte parasysh se edhe reformat që do të duhej të ndërmerrte tashmë qeveria e re, do të duhej të ishin të thella, me ndryshime po ashtu thellësisht të prekshme ligjore. Për fat të keq, qeveria e re po sillet në disa raste sikur të jetë ende në opozitë. Në ligjërimin e Edi Ramës ka tone ankimore, vajtuese shpeshherë. Në qoftë se Sali Berisha përdor gjuhën e tritolit për të sharë atë që e hodhi në koshin e plehrave të historisë, pra qeverinë socialiste dhe Edi Ramën, për fat të keq, Edi Rama vijon e ankohet se drejtësia nuk funksionon, se ekonomia është në krizë e kështu me radhë. Natyrisht për këtë gjendje, për atë katastrofë në të cilën e kishte zhytur vendin Berisha dhe qeverisja e tij, shqiptarët votuan në mënyrë plebishitare kundër tij dhe ia dhanë pushtetin Edi Ramës. Koha e mjaftueshme për të konstatuar gjendjen duket se ka kaluar dhe tani ka ardhur koha për reforma të thella. Shqiptarët kanë votuar një Parlament me një mazhorancë të madhe në mënyrë që ajo të bëjë në Parlament reforma të thella. Edi Rama dhe mazhoranca nuk kanë pse të kenë asnjë impresion nga gjuha e tritolit të Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Ata duhet të çmontojnë urgjentisht institucionet e shkatërruara nga deformimi institucional i Berishës. Berisha ka vënë në punë të gjitha anët e errëta të tij dhe të atyre që e rrethojnë për ta impresionuar Edi Ramën. Ai e di se nuk ka shqiptar më që mund t’i shkojë prapa. Thirrjet e tij dhe përsëritjet e turpshme që u bën atyre thirrjeve Lulzim Basha për protesta, për revolucion, nuk bindin as edhe militantin më të thekur të PD-së dhe nuk trembin askënd, sepse PD-ja nuk ekziston më. Sali Berisha e kriminalizoi atë dhe njerëzit seriozë e të ndershëm, ata që me të vërtetë e duan demokracinë dhe janë në shpirt antikomunistë ose janë larguar nga vendi ose janë tërhequr. Në PD janë tani disa zyrtarë të krimbur me para dhe me ndere që u ka bërë Berisha. Aty nuk ka më asnjë ideal. Njerëzit idealistë të asaj force politike ishin ata që vuajtën më shumë gjatë qeverisjes së PD-së. Për këtë arsye, Berisha ulërin dhe përdor një gjuhë të tillë që gjithkush që e dëgjon mund të thotë pa frikë se ky është një i dalëmendsh. Mirëpo, çdo nismë e ka një fillim. Ky është 21 janari. Qeveria duhet të lëvizë të gjitha mekanizmat ligjorë dhe të dërgojë në Parlament të gjitha provat që ajo zotëron për krimin e 21 janarit. Parlamenti pastaj i ka të gjitha mundësitë që të vërë në lëvizje prokurorinë dhe institucionet e tjera të ligjit që Sali Berisha dhe Lulzim Basha të paraqiten para prokurorisë për të dhënë qëndrimin e tyre për vrasjen e katër njerëzve në Bulevardin e Madh. Pas kësaj mund të bllokohet Bulevardi për të rindërtuar edhe njëherë atë ngjarje, siç u bllokua të enjten nga një televizion privat.

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA