
Cristiano Ronaldo do i dedikojë sot Topin e Artë publikut të “Santiago Bernabeu”-t para fillimit të ndeshjes Real Madrid-Granada (16:00) dhe për këtë arsye stadiumi do të jetë i mbushur plot.
Ndoshta ky do të jetë emocioni i vetëm i takimit pasi përballja në vetvete nuk mendohet të sjellë asnjë surprizë. Granada është një ekip që meriton respekt për renditjen (vendi i dhjetë), por është shumë pak për Realin që ka fituar 8 ndeshje radhazi, 6 nga të cilat pa pësuar asnjë gol.
Gjithashtu, Granada do të shkojë në Madrid me mungesat e Fran Rico, Yebda, Ilori, Dani Benítez, Ighalo, Diakhate dhe Riki. Shumë probleme për të menduar fitoren në Bernabeu pas 40 vitesh.
Nga ana e tij, Carlo Ancelotti pritet të hedhë në fushë lojtarët e përhershëm: Diego Lopez; Carvajal, Pepe, Sergio Ramos, Marcelo; Xabi Alonso, Modric, Di Maria; Cristiano, Bale dhe Benzema.
Top Channel