GJERGJ EREBARA – U bënë tashmë disa njerëzit që rekomandojnë reflacionin si rrugëdalje nga kriza e borxhit publik të Shqipërisë.
Reflacioni, termi klasik i procedurës së rritjes së parasë në qarkullim, rritjes së çmimeve, tretjes së fuqisë blerëse të pagave dhe rrjedhimisht, uljes së kostos së prodhimit në raport me koston e prodhimit të vendeve konkurruese në partneritet tregtar, është zëvendësuar sot me terma të tillë si “terapia e shokut” apo AbeEkonomiks.
Rekomanduesit e kësaj politike fillojnë nga disa njerëz që duket se janë pranë Partisë Socialiste te disa njerëz që vetëdeklarohen si liberalë.
Reflacioni është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një vendi, sipas mendimit tim. Por për fat të keq, realiteti i sotëm, me borxh publik mbi 74 për qind të PBB-së dhe me një shtet të dobët përtej çdo imagjinate e me klasë politike krejtësisht të pavetëdijshme mbi këto punë, e bën reflacionin si një realitet të mundshëm. Me logjikë të ftohtë, herët a vonë, Shqipëria mund të shkojë drejt kësaj. Është paksa e paarsyeshme të vësh bast se plani aktual për uljen graduale të borxhit publik përgjatë dekadës së ardhshme do t’i mbijetojë presioneve të politikës populiste.
Por propaganduesit e reflacionit, ose emisionit monetar duhet të kenë parasysh disa elemente ekonomike para se të nxitohen e ta paraqesin këtë politikë si shkop magjik.
E para, Shqipëria ka borxhe në valutë të fortë. Qeveria ka rreth 4 miliardë dollarë borxhe në valutë të huaj, ndërsa sektori privat, biznese e individë, kanë nja 4 miliardë të tjera. Në rast se bëhet kjo puna e reflacionit dhe leku zhvlerësohet, me fjala vjen, 10 për qind, kostoja e ripagesës së këtyre borxheve rritet automatikisht me 10 për qind. Nëse zhvlerësohet me 20 për qind, kostoja rritet me 20 për qind e kështu me radhë. Kaq mjafton që barra e borxhit publik në valutë të fortë të rritet nga 4 në 4.5 apo 5 miliardë, pavarësisht se nuk është marrë asnjë dollar borxh të ri. E njëjta gjë ndodh edhe me sektorin privat. Nëse njëri nga propaganduesit e politikës së reflacionit parashikonte se sa e lehtë është që Banka e Shqipërisë të rrisë masën monetare në qarkullim me 50 miliardë lekë (500 milionë dollarë), duhet të ketë parasysh se në të njëjtin moment, dy herë më shumë para se kaq humbasin nga rritja e barrës së borxheve publike e private në valutë.
E dyta, eksportet e Shqipërisë përbëjnë një pjesë minimale të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Reflacioni qe një politikë e ndërmarrë nga vende të fuqishme dhe të mëdha si Franca në fillim të shekullit të kaluar. Në këto vende ajo mund të thuhet se në një farë mënyre funksiononte, për shkak se Franca prodhonte dhe konkurronte me fqinjët e vet në pothuajse çdo mall, nga bujqësia tek industria. Japonia, që e bëri së fundmi këtë gjë me Abeekonomiksin, është në një situatë të ngjashme. Prodhon absolutisht çdo gjë. Shqipëria është ndryshe.
E treta, duhet marrë parasysh pabarazia ekonomike aktuale dhe se çfarë efektesh mund të ketë reflacioni në pabarazi. Kjo ka nevojë për hulumtime të mëtejshme, por me hamendësim mund të themi se të pasurit në Shqipëri i mbajnë paratë në valutë të fortë ndërsa populli në lekë. Nëse ky është realiteti, atëherë një reflacion i lekut do të rrisë pabarazinë duke shkaktuar telashe më të mëdha për strukturën shoqërore, si p.sh. rebelime e protesta.
E katërta, duhet pasur parasysh se kriza ekonomike e Shqipërisë sot nuk është si pasojë e tretjes së aftësisë konkurruese të mallrave apo shërbimeve të prodhuara në vend. Problemet ekonomike të vendit janë më së paku ekonomike. Ato janë politike, juridike, shkaktohen nga mungesa e sundimit të ligjit.
Për këtë arsye, të gjithë bëjnë mirë ta shohin reflacionin pikërisht si politikën që duhet të shmanget me çdo kusht, se të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen te ruajtja e programit aktual të qeverisë për uljen graduale të barrës së borxheve publike. Mund të duket një luftë e kotë dhe e pashpresë për sa kohë nuk kemi vullnetin politik për të ndërtuar administratë tatimore mirëfunksionale, profesionale dhe të aftë për të mbledhur taksat e tatimet, por alternativa tjetër, ajo e reflacionit, thjesht nuk përbën një zgjidhje, sido që duket sikur është e magjishme.
Kjo do të thotë se deflacioni, i shkaktuar nga mbledhja e më shumë taksave dhe tatimeve është rruga e vetme.
Top Channel