
Ethet e sezonit të ri të Formula 1 kanë përfshirë të gjithë tifozët e këtij sporti dhe kureshtja është tek risitë e skuadrave përkatëse, sidomos kur bëhet fjalë për ato që janë edhe pretendente për t’u shpallur kampion në fund të kampionatit.
E njëra prej tyre është edhe Ferrari. Skuadra italiane ka gati makinën e re të Formula 1, emri i së cilës do të bëhet publik të premten, për të mbërritur tek e shtuna kur do të kryhen testet e para.
Ajo që dihet është se Ferrari i ri do të quhet ose F14 ose F166 Turbo, dy propozimet e zgjedhura nga tifozët e “Kokëkuqes” në një anketë online të hapur nga drejtuesit e skuadrës italiane.
Pritshmëritë e drejtuesve të skuderisë së Ferrarit janë të mëdha, po ashtu edhe të tifozëve të saj. Por a do të arrijë Ferrari të hedhë pas krahëve dështimin në dy sezonet e fundit dhe t’i bëjë ballë furisë së Vettel dhe Red Bull? Për të marrë përgjigjen e kësaj pyetjeje duhet të presim…ndoshta deri në fund të kampionatit.
Top Channel