Pak ditë pas Interi u tërhoq nga shkëmbimi Vuçiniç-Guarin, presidenti Erick Thohir u mbrojt nga akuzat e Juventusit nëpërmjet një komunikate të publikuar në faqen zyrtare të klubit.
Ndonëse të dy klubet gjetën një marrëveshje dhe lojtarët kaluan testet mjekësore tek secila skuadër, në minutën e fundit Thohir vendosi të dëgjonte tifozët dhe të tërhiqej.
Një veprim i tillë u konsiderua si “absolutisht joprofesionist” nga drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Beppe Marotta, ndaj Thohir komentoi: “Interi gjithmonë është dalluar për integritet dhe ndershmërinë e tij. Ky është edhe misioni ynë, që të ruajmë këtë traditë. Në çdo gjë që bëj brenda këtij klubi, i përmbahem disa principeve thelbësore për arritjen e suksesit, siç janë puna e palodhur, ndershmëria dhe besueshmëria. Kam marrë angazhimin që të respektoj këto vlera kur mora kontrollin e këtij klubi”.
“Si Presidenti i Interit, detyra ime është që të vlerësoj rendimentin e personelit tonë, duke kërkuar më të mirën prej të gjithë, nga vetvetja, nga stafi dhe futbollistët. Nuk do të lejojmë asnjë që të kritikojë dinamikat e brendshme në klubin tonë. Unë do të mbroj Interin me të gjithë mjetet që kam në dispozicion. Këtu tek Interi, ne gjithmonë kemi marrë vendime të përgjegjshme dhe në mirëbesim, e kështu do të vazhdojmë të marrim vendime që do të jenë në interesin absolut të klubit edhe në të ardhmen”, shtoi Thohir.
Top Channel