Lindja e një fëmije është një prej momenteve më domethënëse në jetën e një familje.
Megjithatë, jo të gjithë e kanë luksin për të lindur në konfortin e një spitali të ndodhur pranë, të asistuar nga mjekët apo familjarët e tyre.
Në një prej zonave më të largëta dhe të pabanuara të botës, në vazhdimin e vargmalit të Himalajeve në Indi, një gruaje shtatzanë iu desh të udhëtonte 70 kilometra në këmbë në -35 gradë celcius në muajin e nëntë, për të mbërritur deri në spitalin më të afër.
Gruaja kishte pasur probleme më parë gjatë shtatzanisë dhe mjekët e fshatit ku ajo jetonte, në krahinën e Ladakh, e këshilluan që të shkonte përpara lindjes në një maternitet të mirefilltë për të mos rrezikuar jetën e saj dhe të fëmijës.
E shoqëruar nga bashkëshorti dhe disa të afërm të tjerë, nëna e ardhshme përshkroi me guxim 70 kilometrat, shumica e të cilëve rrugë malore në lartësinë 4 mijë metra, deri në spitalin më të afërt, ku lindi një fëmijë plotësisht të shëndetshëm.
Kjo ngjarje u dokumentua nga fotografi britanik Tim Vollmer, i cili kishte udhëtuar deri në këtë zonë për të fotografuar disa prej vendeve më piktoreske të planetit.
Ai u ndesh me familjen indiane në rrugën e tyre të kthimit, për në fshatin e tyre të humbur, të aksesueshëm vetëm nëpërmjet rrugës tepër të vështirë dhe të rrezikshme për këmbësorë.
Top Channel