Federata Kiliane e Futbollit ka ndaluar një ekip të kategorisë së parë të përdorë fanelat e reja, nga të cilat ajo me numrin 1 (e portierit) kishte të stampuar hartën e Palestinës përpara krijimit të Izraelit.
Palestino, një klub futbolli i themeluar nga komuniteti i madh i palestinezëve në Kili, e ka përdorur këtë fanelë në 3 ndeshje deri më tani.
Organizatat hebreje janë ankuar se dizenjo e re e tyre nënkuptonte se e gjithë toka ishte palestineze. Federata kiliane deklaroi se si institucion kundërshton çdo lloj forme diskriminimi. Gjithashtu ajo vendosi edhe një gjobë prej 1300 dollarësh për klubin, me seli në Santiago.
Palestino i zbuloi fanelat e reja në Dhjetor, duke ruajtur ngjyrat tradicionale të klubit, të ngjashme me ato të flamurit të Palestinës: e kuqe, e gjelbër dhe e zezë. Gjithsesi, në projektin e ri, fanela e portierit ishte zëvendësuar me hartën e Palestinës, përpara se OKB të votonte për ndarjen e rajonit në vitin 1947.
Organizatat hebreje në Kili u ankuan, por ishte pronari i një klubi tjetër të kategorisë së parë, Nublense, Patrick Kiblisky, ai që shkoi më tej, duke dorëzuar një ankesë zyrtare kundër Palestino-s.
“Nuk mund të pranojmë përfshirjen në futboll të politikës dhe fesë”, tha ai. U deshën disa javë, deri sa autoritetet e futbollit të vepronin, ndërkohë që fanelat e reja vazhduan të përdoreshin gjatë kësaj kohe.
Federata njoftoi se kishte vendosur të ndëshkonte Palestino-n, sepse institucioni kundërshtonte “çdo lloj forme diskriminimi politik, fetar, gjinor, etnik, shoqëror apo racor”. Megjithatë, klubi argumentoi se kishte përdorur të njëjtin dizajn si dhe në sezonet e kaluara.
Në faqen e tyre në Facebook, klubi e bëri të qartë pikëpamjet e tyre ndaj Lindjes së Mesme: “Për ne, liria e Palestinës do të jetë gjithmonë për Palestinën historike, asgjë më pak”.
Në Kili ndodhet një nga komunitetet më të mëdha palestineze jashtë Lindjes së Mesme. Palestino u themelua në 1920 nga emigrantë në jug të Kilit, sipas uebsajtit të klubit. Ai u bë një klub futbolli profesionist në 1952, si dhe ka fituar dy herë kampionatin vendas.
Top Channel