Vucinic tek Inter, Guarin tek Juve

20/01/2014 00:00

Në një lëvizje surprizë në merkato, Juventusi dhe Interi kanë arritur marrëveshjen për një shkëmbim kokë më kokë mes Mirko Vuçiniç dhe Fredi Guarin.

Sipas ‘La Gazzetta dello Sport’, dy rivalët italianë kanë vendosur të zgjidhin problemet e tyre nëpërmjet këtij shkëmbimi befasues. Mediat italiane njoftojnë se Interi vec sulmuesit malazez kërkoi edhe një shumë prej 4 mln eurosh për Guarin. Por bardhezinjtë kanë këmbëngulur në shkëmbim kokë më kokë.

Marrëveshja duket se është arritur në bazë të kësaj të fundit, pa asnjë transfertë parash. Megjithatë kjo mbetet për t’u zbardhur pas deklaratave zyrtare të dy klubeve.

Të dy lojatërt ishin përfolur për një aventurë në Premier Ligë, Vucinic tek Arsenal ndërsa Guarin tek Chelsea. Por kërkesa e Mazzarri-t për të patur një sulmues në krah të Palacio-s, pas paraqitjeve jo bindëse të blerjeve të verës,Belfodil dhe Icardi dhe interesimi i Conte-s për sulmuesin kolumbian kanë bërë që të dy lojtarët të vazhdojnë karrierën e tyre në Serinë A.

Tashmë duket se të gjithë janë të kënaqur me këtë zgjidhje, ndërsa dy futbollistët u janë nënshtruar vizitave mjekësore. Vucinic nuk ka marrë pjesë në stërvitje ditën e sotme, por është paraqitur atje për t’u përshëndetur me shokët, ndërsa Conte ka kërkuar që Guarin të jetë i gatshëm për të veshur fanelën e tij të re që në ndeshjen e kupës ndaj Romës, por për shkaqe teknike, kjo nuk është bërë e mundur.

Top Channel