ANDREA STEFANI – Kur ca ditë më parë një fshatar nga Gjonomadhi i Korçës
vrau dy çifte bashkëshortësh gazeta e RD nxitoi ta shpallte si
kryetitull me germa kapitale: MASAKËR!
Dhe kishte plotësisht të drejtë. Ishte vërtet një masakër. Sepse katër njerëz kishin humbur jetën të vrarë me plumba. Por nuk kishte ndodhur kështu në janar të vitit 2011 kur katër protestues paqësorë u vranë nga plumbat e Gardës së Republikës mu nën penxheren e Kryeministrit të asaj kohe, Sali Berisha. Mos vallë nuk qe edhe ajo një masakër? Janë katër të vrarë në Gjonomadh, katër të vrarë në bulevard. Nuk ka asnjë ndryshim. Por është i ndryshëm qëndrimi i medias berishiste. Masakrën e Gjonomadhit e shpall masakër jo se është e tillë, por se i shërben për të “faktuar” që punët e rendit nuk po shkojnë mirë nën qeverinë socialiste. Ndërkaq, masakrën e 21 janarit jo vetëm nuk e shpalli të tillë, por e shndërroi në “puç” në mënyrë që të shfajësonte qeverinë “Berisha” për krimin dhe të fajësonte opozitën. Krejt i ndryshëm shfaqet edhe qëndrimi i drejtësisë ndaj autorëve të dy masakrave. Ai që kreu masakrën në Gjonomadh është në burg dhe çmendinë. Ata që kryen masakrën në 21 janar jo vetëm janë të lirë, por japin ende mend se si duhet drejtuar Shqipëria!
***
Kjo që po ndodh me masakrën e 21 janarit mund të krahasohet vetëm me fabulën e Kristian Andersenit, “Rrobat e Mbretit”, ku mbreti ecën lakuriq nëpër qytet. Të gjithë e shohin, por askush nuk bëzan ngaqë kanë frikë se mos stigmatizohen budallenj! Veç në rastin shqiptar, të verbër nuk janë njerëzit, por institucionet e drejtësisë, prokuroria dhe gjykatat. Sepse e gjithë bota e di se kush janë vrasësit e vërtetë të Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Aleks Nikës dhe Faik Myrtajt. E di se nuk mund të mos ta dijë. Sepse të regjistruara dhe transmetuara nga mediat, episodet e masakrës bënë “xhiron e botës”. Prandaj dhe bota habitet me ne, me prokurorinë dhe “drejtësinë” në Shqipëri. Sepse institucionet e drejtësisë këmbëngulin të bëjnë të verbrin. Të verbrin bëjnë edhe ca ndërkombëtarë që flasin për nevojën e bashkëpunimit të qeverisë dhe opozitës, duke bërë sikur nuk e dinë që figurat më të larta të partisë më të madhe opozitare, Berisha dhe Basha, janë të zhytur deri në fyt në vrasjen e 21 janarit. Dhe i kërkojnë qeverisë bashkëpunimin me vrasësit!
***
Mbështetës të qeverisë që vrau, mund të thonë se as Berisha dhe as Basha nuk kanë qëlluar vetë. Po kur ka ndodhur që qeveritarët të vrasin me dorën e tyre? Mos vallë diktatori Enver Hoxha ata që i vrau, i vrau me dorën e tij? Mos vallë vranë me duart e tyre Hitleri, Stalini, Gedafi, Ben Aliu apo më i fundmi, egjiptiani Morsi, që sot ndodhet nën akuzë për ushtrimin e një dhune vrasëse mbi protestuesit? Qeveritarët vrasin me “shtet”. Dhe në 21 janar Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Rendit, Lulzim Basha, vranë duke përdorur si “kallash” shtetin. Të thuash për këtë se janë të pafajshëm, është si të thuash se një vrasës është i pafajshëm ngaqë ka përdorur doreza gjatë kryerjes së krimit.
***
Por mbi Berishën dhe Bashën nuk rëndon vetëm akti i vrasjes. Mbi ta rëndon edhe akti i mashtrimit të publikut për vrasjen. Dëgjojmë se tani mund të hetohet edhe një mjek që deklaroi se protestuesit ishin qëlluar nga afër. Falë provave mediatike, u bë e qartë se deklarata ishte një gënjeshtër. Edhe po ta marrësh të mirëqenë se trillimin mjeku e kishte nga vetja si fanatik i pushtetit që donte të kontribuonte në fajësimin e opozitës, apo qoftë edhe se vërtet pandehu se plagët ishim marrë nga afër, Berisha shfaqet si një mashtrues i rrezikshëm i opinionit publik. Sepse në rast se mjeku kishte gabuar, si shpjegohet që ishte pikërisht Kryeministri Berisha që i konfirmoi gënjeshtrat e mjekut menjëherë dhe publikisht? Ishte Berisha që deklaroi publikisht se kishte informacion dhe prova për “armatosjen” e demonstruesve me thika me helm, pistoleta çadër. E kishte vërtet këtë informacion apo e shpiku për të sajuar “puçin” në mënyrë që të përligjte vrasjen e 4 njerëzve të pafajshëm në emër të gjoja ruajtjes së institucioneve? Ne e dimë sot se deklarata e mjekut ishte një gënjeshtër. Dhe nuk mundet që “provat” e ofruara nga Berisha për të konfirmuar “vrasjet nga afër”, pra një gënjeshtër, të mos jenë gënjeshtra. Nuk mundet kurrë që një e gënjeshtër e ofruar si “provë” për të shitur si të “vërtetë një gënjeshtër tjetër, të jetë gënjeshtër.
***
Dhe kush gënjen ka për armik të betuar të vërtetën. Prandaj do bëjë ç’është e mundur që ta zhysë atë në errësirë. Ashtu bëri edhe Berisha. Krahas shpifjeve për opozitën ai ndërmori hapa konkretë (në fakt kreu krime të tjera duke shkelur ligjin) duke sabotuar hetimet e prokurorisë: I mbajti mbyllur në oborrin e Kryeministrisë gardistët që të mos kontaktoheshin nga hetuesit, bllokoi urdhër-ndalimet e prokurorisë për disa nga drejtuesit e Gardës, vonoi procedurën e dorëzimit të armëve të Gardës që duheshin ekspertuar nga prokuroria, fshiu të dhënat e serverit të Kryeministrisë ku ruheshin regjistrimet e kamerave të Kryeministrisë. A duhen më shumë fakte për të kuptuar se Berisha bëri gjithçka që bën një kriminel që sapo ka vrarë për të fshehur gjurmët e krimit? Por ndryshe nga kriminelët e rëndomtë që i fshijnë gjurmët në mes të natës, i bëri gjithë këto hatara jo vetëm në mes të ditës, por edhe duke shkelur e dhunuar hapur Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi. Dhe ka akoma ndërkombëtarë që sillen me kortezi ndaj këtij mashtruesi të jashtëzakonshëm, si ndaj politikanit të zakonshëm.
***
Por më e keqja është se ka ende shqiptarë që e shikojnë si “liderin historik që solli demokracinë” dhe që besojnë, edhe pas masakrës së 21 janarit, se ia vlen të ecësh në gjurmët e tij. Disa thonë se bëri mirë që i vrau. Ose, në një version tjetër avokatie për Berishën, thonë se i vrau Rama! Po pse i paska vrarë Rama? Sepse Ai i solli protestuesit atje. Ku atje? Para grykave të armëve që villnin zjarr. Po pse villnin zjarr? Sepse Ai i solli për të bërë puç. Po përse nuk u dënua Rama për puç? Në këtë pikë ia hedhin fajin drejtësisë “së pavarur” që, siç po dëshmon zvarritja e hetimeve për 21 janarin, ishte dhe është ende e kapur nga Berisha. Vrasësi thotë: “Nuk e vrava unë, por ishte viktima që u ngul në thikën që mbaja në dorë”. Kjo është në thelb, mbrojtja që i bëhet qeverisë “Berisha” për vrasjet e 21 janarit. Sofizma dhe përçartje që rrëzohen vetëm nga një aksiomë e thjeshtë e demokracisë liberale: Qeveria nuk qëllon me plumba mbi protestuesit paqësorë. Dhe paqësorë janë ata që nuk kanë me vetë thika me helm apo pa helm, pistoleta çadër apo jo çadër. Një qeveri demokratike nuk i qëllon me plumb protestuesit edhe kur qëllon që një pjesë e tyre, të qëllojnë me gurë qeverinë. Por që gjithsesi, nuk e godasin me plumba si në 14 shtator 1998!
Top Channel