Kur mbetesh në qiell të hapur

14/01/2014 00:00

Jetojnë në qiell të hapur prej më shumë se katër muajsh. Elsa, Lytfiu dhe tre djemtë e tyre shtyjnë ditët në strehën e ngritur me qese plastmasi në rrugën “Kont Urani“, pranë ish-shtëpisë së tyre.

“Djemve të mi u vjen turp kur hyjnë apo kur dalin nga shtëpia. I vjen turp nga kjo situatë“, thotë Lytfiu.

Vetëm pak ditë para se ta nxirrnin nga shtëpia, Elsës i ndërroi jetë e ëma. Që nga ajo ditë, fatkeqësitë për të dhe familjen e saj vijuan njëra pas tjetrës.

Duan të kenë prapë shtëpinë ku kanë jetuar prej vitesh dhe të harrojnë ditët e festave të këtij fundviti që kaluan në trotuar: “Nuk ishte Vit i Ri për ne. Djali nuk solli as shokët këtu se i vinte zor.“

Kanë frikë të jetojnë aty. Rruga dhe nata bartin me vete shumë rreziqe. Edhe më i vogli i familjes është shumë i shqetësuar: “Kam shumë frikë për mamin dhe për babin. Dua të bëhem avokat kur të rritem.”

Janë me origjinë çame dhe herë-herë mendojnë se ky ishte fati i tyre: “Andej na dëbuan, këtej po na dëbojnë…”

Të mbetesh në rrugë të madhe

Kjo eshte banesa ku prej disa kohesh jeton Hasije Teta se bashku me djalin dhe nenen e saj: “Në shpi mund të futet gjithçka pasi dyert dhe dritaret janë të shkatërruara, por ne u futëm këtu pasi edhe në rrugë nuk rrihet.“
 
Ka futur kokën në një vend që është shumë e vështirë për të jetuar normalisht, por ajo shtyn ditët njëra pas tjetrës me shpresën se vuajtjet e saj do të marrin fund një ditë: “Nuk e kisha menduar kurrë që do të përfundoja në rrugë të madhe. I kam shërbyer shumë një plaku të vjetër aq sa as babait nuk i bëhet.”

E nxorën nga shtëpia në vitin 2011, kur bashkëshorti i kishte ndërruar jetë dhe ajo duhej t’i bënte ballë e vetme çdo situtate sepse edhe djalin e kishte të sëmurë.

“Kemi ndenjur një vit rrugëve, vinim vetëm një plastmas për të mos na rrahur era“, thotë Hasija.

Si një bijë e lindur dhe rritur në Malësinë me shumë tradita e zakone, druhet shumë edhe nga sytë e botës: “Edhe pse fqinjët më kanë respektuar dhe ndihmuar, mua gjithmonë më vjen zor kur i has në rrugë. Kam pasur një jetë shumë të vështirë.“

Festat për të janë ditët më të vështira. Kur të gjithë festojnë, asaj i duhet të kapërdijë ndër lot vuajtjen e mjerimin, ndërkohë që të tjerët gëzojnë: “Nuk kam festuar ndonjëherë. Ditët e festave, fishekzjarret binin sipër nesh dhe më bezdisnin pasi më digjnin rrobat.“

Është vetë burrë e vetë grua. Pavarësisht se i ka humbur paksa shpresat, thotë se do të qëndrojë e palëkundur deri në fund.  

Familja Kapllanaj: Ja si na u shkatërrua shtëpia para syve

Këto situata i kishin parë vetëm në filma. Nuk e kishin menduar ndonjëherë se këto ngjarje mund të ndodhnin në realitet, por Niko Kapllanaj tregon se si atyre filloi t’ju shembej shtëpia nën këmbë.

“Ishte data 25 shkurt. Kur u zgjuam nga gjumi, dëgjuam zhurma të mëdha.”

11 shtëpitë në fshatin Grancie të Ballshit, ku jetonin rreth 50 persona, u bënë të pabanueshme. Disave prej tyre iu shkatërrua komplet shtëpia, disave iu tronditën themelet, mure të krisura e humbje të ekuilibrit të shtëpisë. Rrëshqitja e dheut ishte një fenomen natyror që i nxori banorët në rrugë të madhe.“Ishte një katastrofë e vërtetë. Shihja shtëpi që binin.“

Niko e kishte ndërtuar këtë strehë me shumë mund e sakrifica. I ngriti me duart e tij muret e asaj shtëpie që e kishte ëndërruar që në vegjëli. Të ardhurat e punës së 20 viteve në emigracion shkuan dëm.

Fshati sot është komplet i braktisur, aty ku kishte qenë kodër u bë gropë e aty ku kishte qenë fushë, toka u ngrit.

Aktualisht kjo familje jeton në një shtëpi me qira që paguhet nga komuna. Të dy bashkëshortët janë pa punë, kanë 3 vajza të martuara dhe një djalë e një vajzë në shtëpi.

“Fatmirësisht nuk patëm viktima”, thotë Niko.

Ende shpresojnë për një zgjidhje, por në tokën ku lindën e u rritën kanë frikë të kthehen e thonë se është thuajse e pamundur që një ditë të shkojnë sërish për të banuar në Grancie.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta