Shtetet e Bashkuara të Ameriëks dhe Rusia po diskutojnë mbi mundësinë e ndërmjetësimit të një armëpushimi të pjesshëm në Siri, në prag të konferencës së paqes që do të nisë në Zvicër javën e ardhshme.
Moska, aleatja kreyesore midis superfuqive botërore për regjimin e Bashar al-Assad, informoi të hënën se ka mësuar se Damasku është i gatshëm që të lejojë kalimin e ndihmave humanitare, në zonat e kontrolluara prej kryengritësve.
Një shkëmbim i të burgosurve është gjithashtu duke u marrë në konsideratë, konfirmoi Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry dhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
Dy kryediplomatët e Rusisë dhe SHBA-së janë duke zhvilluar një takim në Paris, për të unifikuar qëndrimet e tyre përpara bisedimeve të Gjenevës.
“Sot biseduam mbi mundësinë e një armëpushimi të pjesshëm, në Aleppo dhe mbase zona të tjera të vendit”, konfirmoi Kerry.
Ndonëse shumë janë pesimistë për mundësinë e gjetjes së një formule që do të sillte paqen në Siri, me regjimin që kundërshton çdo bisedim që përfshin një tranzicion politik, Rusia dhe SHBA duket se po ushtrojnë presion mbi qeverinë dhe kryengritësit për të lejuar të paktën krijimin e korridorëve të përhershëm humanitarë.
Si rezultat i bllokimit në zonat e luftimit, qindra mijëra sirianë janë të rrezikuar nga uria, mungesa e ujit të pijshëm, mungesa e medikamenteve apo i ftohti.
Lufta civile në Siri nisi në Mars 2011 dhe mbi 130 mijë persona kanë humbur jetën që prej atëherë.
Miliona të tjerë kanë braktisur shtëpitë e tyre, duke u shndërruar në refugjatë jashtë apo brenda Sirisë.
Top Channel