Një qetësi relative është vendosur në rrugët e Banguit, kryeqytetit të Republikës së Afrikës Qëndrore, pas disa javësh luftimesh ndërfetare.
Presidenti i ri i përkohshëm i vendit, në një fjalim adresuar kombit, deklaroi se ditët e plaçkitjeve dhe vrasjeve për shkak të etnisë kanë përfunduar.
Deklaratat shpresëdhënëse të qeverisë së përkohshme vijnë pasi mbi 20% e popullsisë prej 4,6 milionë banorësh e vendit u shpërngul nga banesat, për shkak të katastrofës humanitare.
RAQ ka një popullsi, 50% të besimit të krishterë dhe 15% të besimit musliman.
Javën e shkuar, presidenti i parë musliman i vendit, Micheal Djotodia u detyrua të jepte dorëheqjen pasi milicia që e ndihmoi të vinte në pushtet në vitin 2011, u përfshi në krime ndaj të krishterëve që detyruan këta të fundit të rebeloheshin ndaj qeverisë.
Gjatë javëve të tensionit, dyshohet se disa mijëra shtetas kanë mbetur të vrarë në spastrimet etnike të ndërmarra prej grupeve të kryengritësve, të cilat në shumë raste kanë humbur ndërlidhjen me pushtetin qëndror dhe veprojnë të pavarura.
Pikërisht, për këtë arsye, garancitë e dhëna nga Alexandre-Ferdinand Ngouendet, kryetari i parlamentit të përkohshëm, janë ende të vështira për t’u besuar.
Si rrjedhojë e anarkisë që ka mbretëruar në Republikën e Afrikës Qëndrore në muajt e fundit, Franca, ish-padroni kolonial është detyruar të dërgojë në vend një forcë prej disa mijëra ushtarësh për të kontribuar në vendosjen e paqes.
Top Channel