
Ka rezultuar nul edhe takimi i dytë mes përfaqësuesëve të Federatës Kosovare të Futbollit, Federatës Serbe të Futbollit dhe presidenti të FIFA-s, Josef Blater.
Në këtë takim të dytë është diskutuar sërish mundësia që përfaqësuesja e futbollit të Kosovës të ketë mundësi që të luajë ndeshje miqësore, një hap shumë i rëndësishëm ky për njohjen e plotë të organit të futbollit kosovar. Përfaqësuesja e Kosovës pretendon që të zhvillojë një ndeshje miqësore me përfaqësuesen kroate, ndërkohë që nga ana e tyre përfaqësuesit e palës serbe janë krejtësisht kundër një gjëje të tillë, me preteksin që nuk mund të luajë një përfaqësuese e një vendi që nuk ka emblemë e flamur.
Gjithsesi, pas dëgjimit të pretendimeve të të dyja palëve, ditën e hënë pritet që FIFA të japë një vendim për këtë çështje, i cili do të pasohet edhe me vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s që është parashikuar të mbahet në mesin e muajit mars. Deri më tani, FIFA ka lejuar një vit më parë që përfaqësueset e ekipeve të moshave të Kosovës të zhvillojnë ndeshje ndërkombëtare miqësore.
Top Channel