Lionel Messi shënoi një “dopietë” në paraqitjen e tij të parë pas 59 ditësh mungesë, ndërkohë që Barcelona e ka thuajse të sigurt kalimin drejt çerekfinaleve të Kupës së Mbretit, pas fitores 4-0 ndaj Getafe-s në takimin e parë të raundit të 1/8-ave.
Katër herë fituesi i “Topit të Artë” zëvendësoi Andres Iniesta-n pas minutës së 63, teksa Barcelona udhëhiqte me rezultatin 2-0, falë dygolëshit të mesfushorit Cesc Fabregas.
Messi mbylli gjithçka sa i përket rezultatit, vetëm 1 minutë para mbylljes së takimit, kur konvertoi në gol një top të hedhur në zonën e rreptësisë. Golin e tij të 16 të këtij sezoni, argjentinasi e shënoi në minutat e fundit të kohës shtesë.
Messi vinte pas një dëmtimi të gjatë, teksa ndeshjen e fundit e kishte zhvilluar ndaj Betis-it në fillim të muajit Nëntor, ndaj dhe u la në pankinë nga trajneri i Barcelonës, Gerardo Martino.
Në ndeshjet e tjera, Betis mposhti 1-0 Bilbao-n, falë golit të Ruben Castro, ndërsa Santander-Almeria përfundoi në barazim 1-1, me gola nga Concha dhe Corona. Alcorcon i Segunda Division mposhti 1-0 Espanyol-in, në “Cornella-El Prat”, ndërkaq ndeshjet e kthimit do të luhen të mërkurën e ardhshme, më 15 Janar.
Top Channel