
Prokurorët deklaruan se gjashtë persona të armatosur hynë në burgun në Iguala, në shtetin Gerrero, duke u shtirur si oficerë të policisë që do të dorëzonin një të burgosur.
Me t’u futur brenda, ata hapën zjarr ndaj një grupi të burgosurish, duke vrarë katër prej tyre. Më pas ata vunë në shënjestër gardianët në një kullë sigurie, por të pestë u vranë pasi rojet e sigurisë iu përgjigjën zjarrit. Gjithashtu, nga të shtënat një anëtar i bandës dhe një roje mbetën të plagosur.
Autoritetet lokale saktësuan se të dënuarit që mbetën të vrarë po shlyenin dënimin për trafik droge dhe pengmarrje. Motivi për vrasjet nuk është ende i qartë, por rivaliteti mes bandave të drogës konsiderohet si pista e privilegjuar e hetimeve.
Shteti i Gerreros, ku ndodhet dhe resorti turistik i Akapulkos, është një nga më të dhunshmit në Meksikë. Përleshjet e ashpra mes bandave të drogës si Kalorësit Templarë dhe Los Zetas janë të zakonshme.
Si pasojë e dhunës, grupe vigjilentësh janë krijuar nga banorët në qytete të ndryshme. Ata janë betuar se do të luftojnë krimet, pengmarrjet dhe zhvatjet që kryhen nga kartelet e narkotrafikut.
Top Channel