Trajneri i Bosnjes: S’di sa larg do të shkojmë

03/01/2014 00:00

Safet Susic nuk e ka pasur gjithnjë të lehtë të arrijë suksesin. Pasi provoi aftësitë e tij me disa klube gjatë një periudhe 15-vjeçare, 58-vjeçari mori drejtimin e Bosnje-Hercegovinës në vitin 2009 dhe për pak sa nuk u kualifikua për në Botërorin e Afrikës së Jugut, në 2010-n, por edhe në Europianin e 2012-s, ëndrra këto të ndalura nga ndeshjet “play-off”.

Por, më 15 Tetor të vitit të kaluar, gjithsesi, Bosnje-Hercegovina siguroi për herë të parë një vend në një turne madhor ndërkombëtar, dhe kjo e arritur falë fitores 1-0 ndaj Lituanisë, që i siguroi kalimin e drejtpërdrejtë për në Brazil 2014.

Në një intervistë për FIFA.com, ish-lojtari i kombëtares së Jugosllavisë dhe legjendë te Paris Saint-Germain si mesfushor me tipare sulmuese ka folur për forcën e ekipit të tij dhe ambiciet, kur kanë mbetur edhe pak muaj nga fillimi i kompeticionin më të madh futbollistik në nivel kombëtaresh.

“Pas vërshëllimës së fundit në Lituani u ndieva më i lirshëm e më pas erdhi edhe sensi i gëzimit. Por, synimi ynë ishte që të përfundonim të parët në grup me çdo kusht, pasi ishim eliminuar dy herë radhazi në të kaluarën, kur na u desh të luanim ndeshjet e play-off. E megjithatë, pavarësisht se kam 4 vjet që e drejtoj këtë kombëtare, nuk mund të them nëse ekipi ka arritur kulmin. Madje, nuk mund të them edhe se sa larg do të mund të shkojmë në Brazil. Kemi luajtur shumë mirë deri më tani ndaj ‘të vegjëlve’, por ende nuk kemi mundur një ekip të madh si Franca, Portugalia apo Brazili. Besoj se që të jesh një ekip i madh, duhet të kesh mundësi të hedhësh në fushë 2 formacione. Neve na mungojnë lojtarët e stolit. Më pëlqen, zakonisht, që ekipi të sulmojë, të shfaqet disi aventurier, edhe pse shpesh herë neglizhojmë në fazën mbrojtëse dhe pësojmë gola. Por, me këto mundësi që kemi, nuk mundemi të luajmë ndryshe. Kemi sulmues të shkëlqyer, por jo mbrojtës të atij niveli”, ka shpjeguar Safet Susic.

Por cilat janë ambiciet e Bosnjes në Brazil?

“Nuk besoj se ekziston ndonjë trajner apo ekip, i cili shkon në një Botëror për të thënë ‘do të shohim se çfarë ndodh atje’. Sigurisht, objektivi ynë është që të kalojmë fazën e parë. Kjo është dëshira jonë dhe ajo që duam të bëjmë, por kjo nuk do të thotë se do të arrijmë sukses”, përfundoi Susic.

Top Channel