
Real Madrid ka mposhtur 1-0 Paris Saint-Germain, në një miqësore luksi të zhvilluar në Doha të Katarit, gjatë së enjtes, edhe pse nën reshjet e shiut.
Goli i vetëm i takimit u shënua nga 20-vjeçari madrilen, Jese, pas vetëm 19 minutash lojë, përpara një tufe spektatorësh të entuziasmuar, të cilët mbështesnin më shumë gjigantët spanjollë, pavarësisht se pronarë të klubit francez janë liderët e Katarit.
“Për ne, ishte thjesht një ndeshje përgatitore, kështu që nuk e konsiderojmë realisht një humbje. Më shumë ishte një ndeshje stërvitore”, tha mbrojtësi i majtë i PSG-së, Maxwell. “Gjëja më e rëndësishme për ne është dita e diel, kur ne të luajmë për Kupë ndaj Brestit, skuadër e kategorisë së dytë”.
“Nuk jemi në 100% të formës, pasi ndihen ende efektet e ditëve të pushimit në këmbët tona”, shtoi ai. Laurent Blanc dhe homologu i tij, Carlo Ancelotti, përgatitën gjithçka për të dhuruar spektakël, por ndeshja u vendos vetëm nga një gol i talentit merengues, Jese.
Top Channel