Schumacher, familja i qëndron pranë

31/12/2013 00:00

Familja e kampionit gjerman të Formula 1, Michael Schumacher po i qëndron atij pranë teksa lufton për jetën, pas incidentit me ski në Alpet franceze.

Menaxherja e Schumit, Sabine Kehm deklaroi se bashkëshortja e tij Corinna, e bija Gina Maria dhe djali Mick janë të tronditur por po qëndrojnë në spitalin në Grenobël.

“Familjarët e tij natyrisht që nuk janë mirë. Ata janë të tronditur”, tha Kehm për gazetarët.

Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 pësoi dëmtime në kokë ditën e diel si pasojë e një rrëzimi, teksa bënte ski në resortin Meribel. Ai është vendosur në koma të sugjeruar nga mjekët për të lehtësuar presionin në tru.

Profesori Jean Francois Payen, nga njësia e ndihmës intensive në Spitalin Universitar në Grenobël tha në një konferencë se nuk mund të bënte një prognozë për pilotin 44-vjeçar.

“Ai është në një gjendje kritike përsa i përket dëmtimeve cerebrale. Ne po punojmë orë pas ore”, tha ai. Profesori Payen shtoi se nëse Schumacher nuk do të kishte veshur kaskën mbrojtëse, atëherë tani ai nuk do të ishte aty.

“Na u desh ta operonim urgjentisht për të lehtësuar disi presionin në kokën e tij”, vijoi mjeku. Ndërsa kirurgu Stephan Chabrades deklaroi se një skaner i bërë pas operacionit ka treguar përhapjen e dëmeve hemoragjike në të dyja anët e trurit të Schumacher.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB