
Qytetarët shqiptarë kanë tkurrur ndjeshëm shpenzimet për udhëtimet e
fundvitit. Operatorët turistikë thonë se ndërsa numri i prenotimeve për
destinacionet e shtrenjta është i vogël, këtë vit vërehet tendenca e
orientimit drejt destinacioneve fqinje, që janë më të pranueshme për
buxhetin e familjeve shqiptare.
Enver Mehmeti nga Shoqata Shqiptare e Turizmit, shprehet: “Ajo që shihet më shumë në treg është tendenca e pushimeve individuale ose të grupeve të vogla në zonat e afërta me Shqipërinë. Vërehet një tendencë e pushimeve të shqiptarëve në zonat e shteteve si Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia; tendencë që shkon e përshtatshme edhe me çmimet pasi buxhetet janë të pranueshme për ekonominë shqiptare.”
Paketat turistike të fundvitit, 3 deri në 5 ditore, variojnë nga 165 euro për vende si Mali i Zi apo Maqedonia, deri në 900 euro për destinacione të largëta si Dubai. Por, ndryshe nga paketat turistike jashtë vendit, në këto agjensi mungon oferta brenda vendit, çka do të stimulonte turizmin vendas.
“Oferta mbetet e përqendruar në klientelën e tyre, pra nuk është krijuar një model ku pushuesit të kenë zgjedhje kundrejt pushimeve jashtë vendit edhe brenda vendit”, shton Mehmeti.
Operatorët turistikë thonë se një mekanizëm më i mirë bashkëpunimi mes agjensive të udhëtimit dhe furnitorëve të ndryshëm, hoteleve e restoranteve, do të rriste numrin e pushuesve brenda vendit si dhe do të tërhiqte më shumë turistët e huaj.
Top Channel