Ish-trajneri i Bajernit të Mynihut, Jupp Heynckes, është i sigurt që klubi bavarez ndodhet përballë një dekade të artë në historinë e tij.
“Është një ekip i mrekullueshëm, me strukturën e duhur të moshës brenda tij, me shumë cilësi dhe besoj se ky Bajern do të jetë protagonist me shumë suksese në dekadën e ardhshme”, deklaroi njeriu që udhëhoqi gjigantët gjermanë drejt tripletës së vitit të shkuar.
“Nuk shoh asnjë skuadër në Europë që të mund të rivalizojë Bajernin në këtë moment. Mendoj se ky klub është mjaftueshëm i fortë për të qëndruar në majat e futbollit europian për shumë vjet”, shtoi Heynckes, i cili rezervoi vetëm lavdërime për punën e Pep Guardiolës, pasardhësit të tij në “Allianz Arena”.
Heynckes, gjithashtu e konsideroi veten të privilegjuar që konsiderohet si favorit për të fituar çmimin e trajnerit më të mirë të vitit nga FIFA, ndërsa theksoi se vazhdon të mbetet i vendosur për të mos u rikthyer në drejtimin e ndonjë skuadre, pasi ka nevojë për një pushim pas 50 vitesh jetë të kaluara në kontakt të përditshëm me futbollin.
Top Channel