Egjipt, arrestohen gazetarët e Al Jazeera

30/12/2013 00:00

Policia egjiptiane ka arrestuar një grup gazetarësh të rrjetit televiziv Al Jazeera në kryeqytetin Kajro. Mes tyre është edhe drejtori i zyrës së Kajros, Mohamed Fadel Fahmy dhe ish-korrespondenti i BBC, Peter Greste.

Ministria e Brendshme deklaroi se gazetarët kishin zhvilluar takime ilegale me eksponentë të Vllazërisë Myslimane, që javën e kaluar u shpall organizatë terroriste.

Ndaj grupimit islamik ka pasur operacione të shumta që pas rrëzimit nga pushteti të presidentit Mohammed Morsi në korrik.

Që atëherë mbi 1 mijë protestues pro Morsit janë vrarë në përleshjet me forcat e sigurisë dhe mijëra mbështetës të Vllazërisë Myslimane janë arrestuar, përfshirë këtu pjesën dërrmuese të lidershipit të saj.

Një gjykatë egjiptiane do të mbajë së shpejti një seancë për të shpërbërë krahun politik të grupimit islamik, Partia për Liri dhe Drejtësi, më 15 shkurt.

Gazetarët, që punonin për versionin anglez të Al Jazeera, u ndaluan në orët e vona të së dielës. Ata janë: Mohamed Fadel Fahmy me nënshtetësi kanadeze, Peter Greste nga Australia, producenti Baher Mohamed dhe kameramani egjiptian Mohamed Fawzy, që thuhet se u arrestua në shtëpinë e tij.

Al Jazeera ka kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm. Ministria e Brendshme bëri të ditur në një komunikatë për shtyp se kamerat dhe kasetat e reporterëve u sekuestruan në një dhomë hoteli në Kajro. Dikasteri i akuzoi ata për transmetim të lajmeve që dëmtonin sigurinë kombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB