Sulmi mbi ambasadën në Bengazi

29/12/2013 17:30

Artikulli investigativ i prestigjiozes “The New York Times”, që merr në shqyrtim rrethanat e vrasjes së ambasadorit amerikan në Libi dhe tre amerikanëve të tjerë, më 11 shtator 2012, ka rindezur debate, prej disa kohësh të fjetura, në Shtetet e Bashkuara.

Gazeta thotë se, për muaj të tërë, gazetarët e saj intervistuan libianë në Bengazi, të cilët kishin dijeni të drejtpërdrejta për sulmin ndaj konsullatës amerikane dhe rrethanat, në të cilat u zhvillua sulmi. Asnjë nga burimet nuk dha prova, se al-Qaeda ishte pas këtij sulmi.

Përfundimet, nga hetimi që zhvilloi gazeta, e ndezin më tepër debatin politik në Uashington, lidhur me reagimin e administratës Obama ndaj incidentit vdekjeprurës.

Artikulli del në përfundimin se sulmi u udhëhoq nga luftëtarë lokalë, të cilët kishin përfituar nga ndërhyrja e NATO-s gjatë kryengritjes kundër Muammar Gedafit.

Situata u ndez më tej, si rezultat i një videoje amatore të realizuar në Shtetet e Bashkuara, e cila u konsiderua ofenduese për fenë islame. Këto përfundime duket se mbështesin pjesërisht deklaratën e ish-ambasadores amerikane pranë Kombeve të Bashkuara, menjëherë pas sulmit, në një intervistë televizive:

“Besojmë se elementë në Bengazi, një grup i vogël njerëzish, erdhën në konsullatën amerikane, për një ballafaqim të ngjashëm me atë që u pa në Kajro, por incidenti u ndez nga disa grupe të vogla ekstremiste”, tha kohë më parë Susan Rice.

Disa anëtarë të Kongresit, pjesa më e madhe republikanë të opozitës, u shprehën se sulmi nuk ishte një reagim spontan ndaj videos, por akt i grupeve terroriste, që ishte mbajtur sekret nga Shtëpia e Bardhë.

Senatorët republikanë, Lindsey Graham dhe John McCain, i drejtuan pyetje ambasadores Susan Rice lidhur me incidentin dhe thanë se nuk ishin të kënaqur me përgjigjen. Debati u intensifikua në javët para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2012.

Presidenti Obama kishte në plan ta emëronte zonjën Rice si Sekretare të Shtetit, për të zëvendësuar Hillary Clinton. Por, me shtimin e kritikave, Rice u eliminua si kandidate.

Artikulli u publikua disa orë, pasi Departamenti i Shtetit tha se qeveria libiane kishte liruar katër pjesëtarë të ushtrisë amerikane, të ndaluar pak kohë më parë pranë Sabrathas, ku ndodheshin për të marrë pjesë në operacione përgatitore për sigurinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA